Aktakuzë për zyrtarin policor nga Peja për rrahjen dhe kanosjen e një gruaje

Zyrtarit policor nga Peja, Senad Hamziq i është hapur dosje penale nga Prokuroria e Pejës nën akuzën se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje F.K. e cila po ashtu është zyrtare policore.

Ai po akuzohet se i ka shkaktuar asaj lëndime trupore dhe e ka kanosur.

Dosja e prokurorisë tregon se ngjarja dyshohet se kishte ndodhur me 15 maj të këtij viti.

Prokuroria thotë se i pandehuri derisa ka qenë paraprakisht në gjendje te dehur ka shkuar me veturën e tij në ‘Delta Market’, e ka marrë të dëmtuarën F.K., vazhdojnë pastaj me veturën e tij, e që si pasojë e motive të ulta fillimisht fillon fjalosja.

Dosja e prokurorisë thotë se kur e dëmtuara del nga vetura i pandehuri i shkon prapa, fillimisht me këmbën e tij të majtë e godet të dëmtuarën me shkelm në pjesën e djathtë të kukut dhe e kap për krahu në mënyrë të dhunshme.

“Pastaj e sulmon fizikisht duke e goditur me grushta në hundë, shuplaka dhe grushta në fytyrë dhe në kokë, e më pas kur e dëmtuara rrëzohet në tokë, i  pandehuri vazhdon ta godasë me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit si dhe e gjuan me telefon duke e goditur në hundë duke i shkatuar gjakderdhje nga hunda. E futë në veturë ku e dëmtuara serish del nga vetura dhe niset në drejtim të veturës …” – thotë aktakuza e prokurorisë.

Tutje dosja e prokurorisë thotë se i pandehuri i shkon prapa të dëmtuarës duke e tërhequr zvarrë e fut dhunshëm në veturë, me pas largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Ai po ashtu sipas prokurorisë e ka kanosur të dëmtuarën me fjalët “kom me ju vra të dyve”.

Aktakuza ndaj Hamziq është ngritur në qershor të këtij viti.

Prokuroria e Pejës kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj tij. Gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë duke ia caktuar atij masën e arrestit shtëpiak.

I akuzuari gjatë marrjes se tij në pyetje nuk i ka pranuar pretendimet e prokurorisë. Ai nuk ka pranuar të e ketë goditur të dëmtuarën, e as veprimet e tjera qe pretendon prokuroria.