Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. FOTO: Screenshot REL.

Aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj personit zyrtar e huliganizëm gjatë protestës së dhunshme në Zveçan

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një të pandehuri me inicialet N.O., i dyshuar për veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar, dhe – pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.

Sipas burimeve të KALLXO.com, veprat dyshohen se janë kryer në protestën e dhunshme në Zveçan më 29.05.2023.

Në njoftim thuhet se aktakuza është ngritur sot më 11.06.2024 pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale në fjalë.

93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan në Zveçan gjatë protestave të qytetarëve të komunitetit serb, të cilët nuk pranonin që kryetarët shqiptarë të komunave të vendoseshin në objektet komunale.

Një vit pas protestës, KFOR ka vazdhuar të kërkojë që faktet të vërtetohen dhe autorët të mbahen përgjegjës.

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë më 27.02.2024 për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.

Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë në shumën 6 mijë euro.

Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.