Ndryshimet në projekte, aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot më datë 20.06.2024, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B. B., dhe B. K., për shkak se sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B. B., dhe B. K., kanë cilësinë e personave zyrtarë.

Sipas Prokurorisë i pandehuri B. B. në cilësinë e menaxherit të kontratës, për projektin: “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, ndërsa i pandehuri B. K. në cilësinë e Mbikëqyrësit të projektit të njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës prej datës 22.05.2018  e deri më datë 22.10.2018, në Suharekë, të akuzuarit i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt.

“Gjatë kësaj kohe në kundërshtim me Rregullat dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik, pa miratimin e kryetarit të Komunës së Suharekës, i pandehuri B. K., ndryshon, ndërsa i pandehuri B. B., i aprovon paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit – poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plastifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me barë natyror.

“Me këto veprime Komunës së Suharekës i shkaktojnë dëm të material në shumë prej 6 mijë e 839 euro, ndërsa operatorit ekonomik me seli në Prishtinë, i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumë prej 6 mijë e 839 euro|.

Lidhur me çështjen, prokurori i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.