Foto: Policia e Kosovës

Aksioni i Policisë në 10 barnatore në Prizren, dyshohet se shisnin barna pa banderola

Policia e Kosovës njofton se hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike sot kanë zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit, ku janë kontrolluar 10 barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi se janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola.

Sipas Policisë, të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Në njoftim bëhet e ditur se në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola, të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit.

Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar.

Policia thotë se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Pas intervistimit të tij,  është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti – prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, dhe – tregti e ndaluar,  kurse i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.