AKR do ta mbështesë Bedri Hamzën për kryetar të Mitrovicës

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se Aleanca Kosova e Re (AKR) i është bashkuar në koalicion në garën për kryetar të komunës.

Hamza falënderoi strukturat e AKR-së për besimin dhe mbështetjen në këtë garë.

“U bëmë bashkë për Mitrovicën. U bëmë bashkë për t’iu shërbyer mitrovicasve me nder, dinjitet dhe përgjegjshmëri. I falënderoj strukturat drejtuese të AKR-së në Mitrovicë për besimin dhe mbështetjen që po më japin në garën për kryetar të Mitrovicës”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Zgjedhjet lokale në Kosovë planifikohet të mbahen më datë 17 tetor.

Ndërsa, sot gjatë ditës Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës i dërgoi një letër presidentes, Vjosa Osmani ku rekomandoi shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.