Foto: Tatimi në pronë

AKK: Kërkohet opinion ligjor nga Ministria e Financave për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është kërkuar opinion ligjor nga Ministria e Financave për propozimin që të falen 100 euro nga tatimi në pronë.

Sipas AKK-së, kjo kërkesë është shtruar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Sot, është parashtruar kërkesa për Opinion ligjor nga Kryetari i Drenasit, z.Ramiz Lladrovci drejtuar Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës duke e vënë në dijeni edhe Kryeministrin, Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe palët e interesit.Konsiderohet se Opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqaroj dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të Ministrit z.Murati për “faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se dilemat e kryetarëve të komunave lidhur me ligjshëmrinë e këtij propozimi presin t’i zgjidh Ministria e Financave.

“Dilemat e shprehura nga Kryetarët e Komunave rreth ligjshmërisë së këtij propozimi të Ministrit te Financave z.Murati, presim t’i japë zgjidhje ky opinion sqarues që e presim nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës. Duke qenë se në opinion ka dilema ligjore për atë se a është apo jo përgjegjësi e nivelit lokal çështja e “faljes së tatimit në pronë”, presim që këto dilema t’i qartësojë Opinioni ligjor nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës si institucion kompetent”- thuhet më tej në njoftim.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 28 janar propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023.

Ky propozim i tij erdhi pas reagimeve të shumta të qytetarëve pas rivlerësimit të pronave që është kryer nga Ministria e Financave.

Ministria ka vlerësuar pronat në bazë të dhënave të tregut gjë që ka shkatuar rritje të vlerës.

Lidhur me këtë propozim të ministrit Murati ka reaguar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj i cili ka thënë se komunat nuk kanë të drejtë të falin borxhe pasi tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga Ligji për Tatimin në Pronë, i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, vetëm Kuvendi i Republikës ka të drejtë që ta ndryshojë ose eventualisht të falë obligimet që dalin nga ky ligj.