AGK-ja publikon dy raste të pengimit të gazetarëve nga mbrojtja e Kurtit dhe Rizvanollit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar video incizime nga dy raste të pengimit të gazetarëve nga mbrojtja e kryeministrit, Albin Kurti dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

AGK-ja i ka konsideruar veprime të papranueshme duke ju bërë thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.

Mbrëmë, gazetari Kosovë Gjoci ka publikuar një shkrim në të cilin rrëfen se si njëri pjesëtar i mbrojtjes së kryeministrit Albin Kurti e ka shtyrë me dorë duke ia rrëzuar pajisjet në tokë ndërsa tjetri e ka kërcënuar.

Ndërsa në videon e publikuar nga AGK, shihet edhe gazetarja, Besarta Hoti e cila rrezikohet gjatë tentimit për t`i parashtruar pyetje ministres, Artane Rizvanolli.