Kosove Gjoci, facebook

Gazetari Kosovë Gjoci pretendon se truprojat e kryeministrit Kurti e shtynë dhe e kërcënuan

Gazetari Kosovë Gjoci po pretendon se njëri pjesëtar i mbrojtjes së kryeministrit Albin Kurti e ka shtyrë me dorë duke ia rrëzuar pajisjet në tokë ndërsa tjetri e ka kërcënuar.

Në një postim në Facebook, Gjoci ka thënë se e gjithë kjo ka ndodhur gjatë kohës sa ai së bashku me kolegët gazetarë kanë qenë duke e pritur kryeministrin Kurti pas takimit që ai pati me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se fillimisht u është kërkuar ta lirojnë rrugën dhe sipas tij brenda mundësive ai dhe mediat kanë krijuar hapësirë.

Por njëri nga truprojat, sipas gazetarit Gjoci, e ka shtyrë me dorë duke i rrëzuar pajisjet që kanë rrezikuar të thyhen dhe prishen.

Ai thotë se në ato momente pjesëtari tjetër e ka kërcënuar në sy të kolegëve.

“Gjithçka ndodhi derisa na po prisnim ta marrim një deklarim te kryeministrit për takimin që e pati me Lajçakun. Pavarësisht që në momentin që na u tha me liru rrugën, unë me kolegët e tjerë filluam mrena mundësive momentale që ishin me kriju hapësirë që ata me lëviz, njëri nga truprojat më shtyu me dorë dhe me këta rast mi rrëzoi të gjitha pajisjet në tokë, të cilat normalisht që edhe u rrezikuan që të thyhen e prishen. Ky veprim ke totalisht i panevojshëm edhe i papranueshëm për këtë arsye edhe e quajta sjellje idiotike, për çka nuk kam ndryshu mendje as tash. Në ato momente pjesëtari tjetër i truprojave të KM mu afrua edhe më kërcënoj dhe atë në sy te krejt kolegeve të pranishëm aty”- ka shkruar ai.

Gjoci thotë se gjithë ngjarjen e ka parë edhe kryeministri por nuk ka reaguar.

“Ajo çka me bani përshtypje, përveç sjelljes idiotike te këtyre dy pjesëtareve te mbrojtjes e afërt te KM, ishte fakti që edhe pse shumicën e kësaj situate z. Kurti e pa edhe e dëgjoi, thjesht e injoroi edhe në atë moment edhe masi doli me fol para neve. Nejse është i ngarkum me punë s’po ia nxa për të madhe ose duket se ka nis me i pëlqye kjo ideja me i pas ka disa truproje e besa edhe xhipat e zi, të dy këto elemente që i ka kritiku e sha me të madhe si opozitar”- thuhet në shkrimin e Gjocit.

“Për fundi kisha dashtë me i kërku falje njërit prej pjesëtareve të truprojave te KM i pranishëm aty, edhe pse mënyra se si u afrua edhe kërkoj që të flas me mu diku tjetër, ndoshta nuk qe forma ma e duhur e korrekte prej tij, por megjithatë i kërkoj falje se gjithë nervozen që e kisha me kolegët e tij ia zbraza atij, duke mendu që ishte po ai qe më shtyu e mi rrëzoi pajisjet, meqë përngjanin goxha edhe në ato momente nuk arrita as me e vërejtë që nuk ishte i njëjti”- vazhdon shkrimi i gazetarit, Kosovë Gjoci.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, për pretendimet e gazetarit Gjoci dhe është në pritje të përgjigjes.