Foto: AGK

AGK dënon fushatën linçuese me pankarta kundër gazetarëve të portalit "Nacionale" në Prizren

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim në lidhje me fushatën linçuese kundër portalit online “Nacionale” dhe gazetarëve të saj.

Sipas AGK-së, në qytetin e Prizrenit është vendosur një pankartë në të cilën shihen fotografi të gazetarëve të këtij portali, ku mes tjerash përmban mbishkrimin “Bojkoto Nacionale”.

“Në një pankartë të vendosur në qytetin e Prizrenit, ku shihen fotografitë e gazetarëve, Vullnet Krasniqi e Berat Buzhala, thuhet “Drejtësi për popullin, dënim për përqarësit. Bojkoto Nacionale. Liria e shprehjes merr fund tek ofendimi”- thuhet në reagim.

AGK thotë se, një veprim i tillë është krejtësisht i papranueshëm dhe i vë në cak të sulmeve si online ashtu edhe fizike, gazetarët dhe familjarët e tyre.

AGK-ja, ka ftuar Policinë e Kosovës dhe organet e rendit që të largojnë pankartat, dhe të bëjnë hetimin e veprimit që përmban gjuhë të urrejtjes dhe nxitjes.

Asociacioni i Gazetarëve u ka bërë thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që gazetarët dhe mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.

Të premten është mbajtur protesta e thirrur në Prizren, kundër festivalit të filmit “DokuFest”, me thirrje “kundër degjenerimit”, pas performancës së mbajtur në këtë festival javën e kaluar në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë protestës u sulmua edhe një ekip i gazetarëve i gazetës Nacionale, derisa, KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tenton t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Më pas Policia në Prizren doli me njoftim se është arrestuar një i dyshuar lidhur me sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të “Gazetës Nacionale”.

Kurse të hënën, Gjykata e Prizrenit i ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit A.K.

Sipas Prokurorisë, A.K. po dyshohet se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas njoftimit të Gjykatës, A.K., më 11 gusht 2023, rreth orës 14:00, në Prizren, dyshohet se me dashje e ka sulmuar të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje 2 të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual.

Si rezultat i të kësaj caktimi i paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit.

Gjykata vendos ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit gjatë protestës kundër “DOKUFEST”