Agjencia për Informim mbledh prokurorët për të folur për të drejtën e qytetarëve për qasje në informacion

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), sot ka mbledhur prokurorët dhe zyrtarët përgjegjës të prokurorive në Kosovë, për të folur për të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike dhe informacion.

Ky takim është realizuar në kuadër të Javës për Qasje në Dokumente Publike për Ditën Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion.

Të pranishëm në këtë ngjarje, përveç prokurorëve dhe zyrtarëve përgjegjës, ishin edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelemendi dhe zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani.

Komisionerja e AIP, Krenare Sogojeva – Dërmaku tha se sot me mbështetjen e Ambasadës amerikane janë mbledhur me kryeprokurorë e prokurorë të vendit, për të promovuar të drejtën për qasje, si një shtyllë e fortë e llogaridhënies dhe transparencës.

Ajo tha se qasja në informacion dhe dokumente ndikon në rritjen e vetëdijës së qytetarëve për llogaridhënie, si një mjet për promovimin e punë së mirë.

“Publikimi ndikon në rritjen e performancës sepse rrit besimin. Të dhënat tregojnë se interesi i publikut ka qenë te shpenzimi i parasë publike, raportet e auditimit, si dhe hudhja e kallëzimeve penale.Tashmë është vendosur si një standard, që vendimi për hudhjen e kallëzimeve penale të jetë publik. Qasja në dokumente publike është gjithherë e lejuar, kur ka të bëjë me shpenzimin, funksionimin apo punësimin e zyrtarit publik. Andaj, publikimi me vetëiniciativë siguron veprimtarinë më të mirë të institucionit” – ka thënë Sogojeva – Dërmaku.

Ndërsa u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se e kupton rëndësinë e qasjes në dokumente publike dhe të transparencës. Ai tha se përmes këtij mekanzimi, mund të rritet imazhi i sistemit prokurorial, që sipas tij, ka qenë goxha i dëmtuar.

Por ai tha se ligji parasheh kufizime.

“Ligji për KPK thotë se prokurorët ofrojnë vazhdimisht informacione për punën e tyre, por ekziston edhe një dispozitë që kufizon dhënien e informatave në rrethana të caktuara. Duhet të shikojmë mundësitë për të respektuar edhe këtë dispozitë ligjore, por edhe për të respektuar të drejtën e qytetarëve. Është gjithmonë dilema se mos po shkelim privatësinë e personave të përfshirë në procedurë. Ne duhet të shikojmë rrugën që është e pranueshme dhe nuk e shkel ligjin, duhet të krijojmë kushtet pa u shkel ligji” – tha ndër të tjera Kelmendi.

Në anën tjetër, Veton Shabani nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), tha se ka pasur zhvillime pozitive në sistemin prokurorial, pasi janë caktuar zyrtarët përgjegjës në secilën prokurori.

Po ashtu, Shabani tha se KPK është në fazën finale të përgaditjes së një rregullore për ofrimin e qasjes në dokumente publike.

“Jemi në fazën finale të hartimit të draft rregullores për qasje në dokumente publike. Për këtë kemi marrë edhe komentet e vyera të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Qëllimi është që kjo rregullore të saktësojë dhe qartësojë detyrimet e sistemit, për ofrimin e qasjes në dokumente publike” – tha Shabani.

Agjencia për Informim dhe Privatësi me aktivitete të ndryshme për tre ditë me radhë është duke shënuar Ditën Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion.

Ditë më parë takime të ngjashme janë organizuar edhe me kryetarë dhe përfaqësues të komunave, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile.