Agim Veliu: Shkarkimi i bordit të RTK-së nga LVV ka për qëllim kapjen e RTK-së

Agim Veliu, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se shkarkimi i anëtareve të bordit të Radio Televizionit Publik ka për qëllim kapjen e këtij mediumi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Veliut është e papranueshme kjo formë e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së.

“Nuk është bërë një vlerësim i duhur për anëtarët e bordit. Rekomandimi është politik dhe ka për qëllim kapjen e një mediumi që duhet të jetë i pavarur. Kjo formë është e papranueshme është dashur të bëhet vlerësimi i secilit anëtar”, tha ai.

Doarsa Kica Xhelili, kryesuese e Komisionit për Media tha se në rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa thuhet se “rekomandohet shkarkimi i anëtarëve të bordit të RTK-së si shkak i paaftësisë profesionale të anëtarëve të bordit në përmbushje të detyrave të tyre”, tha ajo.

Komisioni  për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është duke shqyrtuar pikën e vetme e rendit të ditës që ka të bëjë me rekomandimin për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Komisioni për Buxhet rekomandon shkarkimin e bordit të RTK-së