Lushtaku - Sveçlës: Shpresa jonë ishte që të jepni dorëheqje

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është duke shqyrtuar në parim i Projektligjit për Zyrtarët Publik.

Në këtë komision i pranishëm është edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Fillimisht, Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së ka shprehur ngushëllime për familjen e gruas e shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së.

Lushtaku tha se e kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas tij, nuk është shpëtuar as foshnja për shkak të “papërgjegjësisë” që kryeministri Kurti nuk ka emëruar ministër të Shëndetësisë.

“Shpresa jonë ishte që të jepnit dorëheqje” – i tha Lushtaku, ministrit Sveçla.

Hamide Magashi u vra të enjten mbrëma në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili pasi dyshohet se e kreu krimin u largua në drejtim të panjohur.

Në anën tjetër, deputeti Lushtaku ka folur edhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik.

Ai tha se kanë pritur qysh moti që të vijnë në Kuvend këto projektligje dhe se ka pasur shumë reagime për vonesa.

Pas miratimit më datën 23 nëntor në Qeveri, projektligji për pagat për sektorin publik do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Ende nuk dihet sa është koeficienti i pagës në projektligjin e ri.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga dhe disa kërkesa të tjera.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.