Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Veliu flet për momentet kur diskutohej për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka folur lidhur me përkrahjen që i kishte dhënë idesë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.

Ai në emisionin Debat Plus tha se këtë përkrahje e kishte dhënë pasi kishte konsideruar se duhej mobilizim sa më i madh për luftim të infektimeve.

“Në atë periudhë ka pasur pak raste, mirëpo duke pasur parasysh rrethanat e atyre ditëve dhe situatën shumë serioze brenda një periudhe kohore dyjavëshe në Kosovë kanë hyrë e dalur mbi 170 mijë persona brenda ekzistonte një huti për furnizim me artikuj ushqimorë, kishte frikë dhe panik, unë në ate kohë si ministër i Punëve të Brendshme kisha informacione se kishin ndodhur edhe incidente të vogla”, tha Veliu.

Veliu tutje shtoi se nuk ka pasur dakordim me ish-presidentin Thaçi ose qëllim për trazira në veri të vendit me anë të këtij veprimi.

“Nuk është e vërtetë që me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme kemi dashur të provokojmë situatë jo të qetë në veri, asnjë takim apo bisedë nuk e ka pasur me z. Thaçi në atë kohë, përpos në këshill të sigurisë. Në atë mbledhje është diskutuar situata e sigurisë ku temë ishte COVID-19. Duke pasur parasysh që në botë kishte shumë të infektuar dhe lëvizjen e madhe, pritej që edhe Kosova të ketë numër të shtuar të infektimeve. Për shkak të angazhimeve nuk kam pasur asnjë koordinim me presidentin Thaçi, thjesht e kam parë si nevojë për mobilizim”, ka shtuar tutje Agim Veliu.