Afër fundit gjykimi i ish-drejtorit të Urbanizmit në Novobërdë për fermën e derrave

Goran Maksimoviq, ish-drejtor i Urbanizmit në Novobërdë, dhe Selatin Beqiri, zyrtar i kësaj Drejtorie, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë e cila i ngarkon se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Në seancën e sotme e dhanë mbrojtjen e tyre të akuzuarit, të cilët thanë se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohen.

Tutje, i akuzuari Goran Maksimoviq, tha se e ka mësuar se për çka akuzohet vetëm pasi e ka lexuar aktakuzën.

“Në vitin 2018 unë kam qenë drejtor i Urbanizmit në Novobërdë. Kam kuptuar se është bërë një gabim teknik në lejen e lëshuar nga Komuna, sepse aty shkruante “leje për ndërtimin e një ferme”, por nuk ka shkruar se cilës fermë. Pëlqimin e dhënë për lejen e ndërtimit e kam kuptuar dhe e kam nënshkruar edhe pse ka qenë në gjuhën shqipe. Atë ma ka shkruar Selatini (Beqiri), pasi unë kam shkuar në zyrën e tij. E gjithë kjo ka ardhur pasi unë kam folur me Selatin Beqirin në telefon. Nuk kam pasur asnjë premtim për ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër nëse e nënshkruaj pëlqimin”, tha i akuzuari Maksimoviq.

Kurse i akuzuari tjetër Selatin Beqiri tha se akoma është shef i drejtorisë së Katastrit në Novobërdë dhe aty punon që nga viti 2003.

“Kur ka ardhur dokumentacioni i Dushan Maksimoviqit, ka qenë i kompletuar me të gjitha dokumentet si dhe me pëlqimet e Komunës. Leja ndërtimore nuk mund të lëshohet pa u dhënë pëlqimi nga Komuna dhe Ministria e Bujqësisë, tek unë të gjitha shkresat kanë ardhur të kompletuara dhe pas kësaj ne e kemi lëshuar lejen ndërtimore. Unë në këtë rast nuk kam pasur asnjë dobi pasurore nga askush e as nga përfituesi i grantit. E vetmja taksë që e ka paguar përfituesi i grantit ka qenë një taksë komunale”, tha i akuzuari Beqiri.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Goran Maksimoviq ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Novobërdës, me 19 prill 2018, në kundërshtim me Ligjin për ndërtim ka lëshuar pëlqim për ndërtim të objektit “Fermë e Derrave” në emër të personit Dushan Maksimoviq.

Ky pëlqim sipas Prokurorisë ishte dhënë për pronën që nuk ka qenë në emrin e këtij personi, por në emër të gjyshit të tij.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari i ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitim në vlerë prej 66,360 euro.

Tutje sipas aktakuzës, Selatin Beqiri si shef i Drejtorisë së Urbanizmit i ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare duke lëshuar lejen ndërtimore për fermën e derrave, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.

Seanca e sotme do të vazhdojë më 18 janar 2021.

Nis nga fillimi gjykimi i zyrtarëve të Novobërdës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës