Policia e Kosovës

Afër 11 mijë raste të raportuara nga qytetarët në “Lajmëro Policinë”

Janë rreth 10 mijë e 700 raste që ndërlidhen me trafikun rrugor, posedimin e armëve, të drogës, raste të dhunës, të korrupsionit e të tjera që janë raportuar nga qytetarët në platformën digjitale “Lajmëro Policinë”.

Kjo platformë, që u lansua më 24 qershor 2020, ka për qëllim lehtësimin e bashkëpunimit, komunikimit të ndërsjellë me qytetarët dhe ofrimin e mundësisë për lajmërimin e rasteve të ndryshme në të gjitha rajonet dhe stacionet policore.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës, përpos falënderimit për raportuesit, Policia inkurajoi qytetarët që të bëjnë raportime, duke veçuar rajonin e Mitrovicës së Veriut.

“Policia inkurajon të gjithë qytetarët pa dallim në gjitha rajonet policore posaçërisht në rajonin e Mitrovicës Veri , që edhe më tutje rastet të raportohen pa hezitim në mënyrën më të lehtë dhe më të qasshme për ta” – u tha në njoftimin e Policisë.

Tutje u tha se të gjitha raportimet nga ana e qytetarëve përmes këtij aplikacioni ofrojnë transparencë, konfidencialitet dhe anonimitet të plotë.

“Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me qytetarët dhe raportimet përmes kësaj platforme, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për raportimin e rasteve të ndryshme dhe bashkëpunimin e ofruar në arritjen e objektivave të përbashkëta për garantimin e një sigurie të përgjithshme” – tha Policia.

Përpos opsionit të raportimit të rasteve në këtë platformë, Policia ka të publikuar edhe numrat kontaktues pa pagesë, të cilët janë 192, 0800 19999 dhe 038 550 999.

Madje, në dispozicion të qytetarëve janë edhe numrat e të gjitha stacioneve policore, përfshirë këtu e-mailin zyrtar [email protected] .

Sa i përket “Lajmëro Policinë”, kjo platformë mund të përdoret dhe shkarkohet në pajisjet mobile në tri gjuhët, shqip, serbisht dhe anglisht.