Aeroporti Nënë Tereza | Foto nga : Pixabay

Aeroporti i Tiranës me 88% rritje të pasagjerëve brenda 4 viteve

Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza” ka pasur 88 për qind më shumë pasagjerë që kanë zbritur aty gjatë javës së kaluar, krahasuar me javën e njëjtë të vitit 2019, sipas Agjencisë Europiane të Trafikut Ajror.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është mburrur me këtë matje të cilën e ka publikuar në profilin e tij në Facebook.

“Edhe tetori bum bum bum në turizëm si kurrë më parë, ndërkohë që Aeroporti “Nënë Tereza” vazhdon në krye të klasifikimit të Agjencisë Europiane të Trafikut Ajror, për rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve” – ka shkruar Rama.

Sipas matjeve të kësaj agjencie, Shqipëria kryeson tabelën dhe pasohet me Armeninë e cila ka 45 për qind rritje. Ndërsa, në vendin e tretë është Maqedonia e Veriut me 20 për qind rritje.

Ukraina gjendet e fundit në tabelë me 100 për qind ulje të numrit të njerëzve që kanë zbritur në aeroportet e saj.