Abdixhiku takoi ambasadorin Kai Sauer, diskutuan për dialogun Kosovë - Serbi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim nënsekretarin e shtetit finlandez për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kai Sauer.

Sipas komunikatës së LDK-së, Abdixhiku e njoftoi Sauer për prioritetet e tij në zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale.

Ndërkaq thuhet se kryetari Abdixhiku e falenderoi shtetin e Finlandës dhe Ambasadorin Sauer për angazhimin e tij personal për Kosovën.

Sauer shprehu gatishmërinë e shtetit finlandez për përkrahjen e Kosovës në proceset e saj integruese dhe zhvillimore.

Po ashtu, gjatë takimit thuhet se u diskutua për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, liberalizimin e vizave dhe thellimin e bashkëpunimit me shtetet mike rreth fuqizimit të pozicionit të Kosovës për njohje dhe anëtarësime.