Abdixhiku: Rrugën e Veternikut do ta rregullojmë për 40 ditë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kanë nisur punën në përpjetëzën e Veternikut, në ndërtimin e murit anash rrugës.

Sipas tij, përveç që rruga duket e shëmtuar, ajo është e rrezikshme.

“Kjo përpjetēze e Veternikut ka 2 vite që s’sheh punëtorë. Përveç rrezikut e shëmtisë së rrugës më të frekuentuar në vend, në Kryeqytet, ajo simbolizon neglizhencën”, ka shkruar Abdixhiku.

Ministri në detyrë, ka njoftuar se për 40 ditë do të përfundojë ndërtimi i murit.

“40 ditë është koha që do ta përfundojmë. Muri do të ndërtohet, shpati do të përforcohet, rruga do të shtrohet – deri në sinjalistikë. Do të punohet ditën, do të punohet natën, e diku rreth 1 korrikut do ta kemi rrugën e hapur. 40 ditë. Dita e parë nisi sot”, ka shkruar në fund ministri Abdixhiku.