Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Kurti nuk po guxon të marrë vendim për referendumin e Serbisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se nuk ka pasur nevojë që të ketë trajtim parlamentar çështja e kundërshtimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se kryeminsitri Kurti nuk po guxon të marr vendim për këtë çështje.

“Kjo seancë ka kuptim vec si formë, dhe atë formë e fshjehjes së kryeminsitrit për të marr përgjegjësi për çka është i thirrur dhe i zgjedhur. Për ta thënë më thjeshtë kryeministri nuk po guxon të marrë vendim”, tha ai.

LDK-ja është shprehur në një linjë me Qeverinë, duke e kundërshtuar mbajtjen e referendumit.

“Kjo tendencë, përveç se jokushtetuese dhe jashtë normave aktuale ligjore që vendi ynë i ka është praktikë e papranueshme ndërkombëtare, është praktikë në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë. Referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovë si dhe rendin tonë kushtetues dhe pikërisht me referendum dëshiron të dëshmojë shtrirjen e sovranitetin serb mbi Kosovën, bëhet edhe më i papranueshëm”, tha ai.

Abdixhiku shtoi se nuk mund ta kuptojë kërkesën për votimin e një rezolute.

“E paqartë megjithatë mbetet nevoja për mbajtjen e kësaj seance dhe nxjerrja e një rezolute rekomanduese për Qeverinë dhe këtë s’mund ta kuptojë dot”, tha kreu i LDK-së.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.