Abazi: Përveç hardisqeve të prishura, as diktafoni nuk ka punuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka thënë se brenda mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që u mbajt më 17 mars, nuk ka punuar pajisjet inçizuese.

“Vullnetin dhe përcaktimin e sovranit nuk mund ta bëjë një president që kërkon një kryeministër servil për ta përfunduar planin e tij. Kjo është vallja e dreqit në mes të rrezikut për arkivolet e COVID-19…Për Këshillin e Sigurisë Kombëtar, përveç që janë prishur hardisqet e lidhura për mikrofonat, po ashtu edhe diktofoni mbi tavolinë nuk ka punuar. Nuk ka engjëj këtu”, tha Abazi.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ishte diskutuar nëse është e nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, ide që u përkrah nga Presidenti Hashim Thaçi por u kundërshtua nga Kryeministri Albin Kurti.

Kjo ishte ndër pikat kontestuese edhe në mes të koalicionit qeverisës LDK-LVV, që çuan në rrëzimin e qeverisë Kurti më 25 mars.

Në seancën e Kuvendit ku u votua për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, ky i fundit kishte thënë se nuk po mund t’i gjejnë hard-disqet me inçizimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Në ndërkohë ende nuk dihet nëse Presidenti do të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme pas rrëzimit të qeverisë Kurti.

Haki Abazi në postimin e tij sot  tutje ka shtuar se vendi do të shkojë në zgjedhje sipas Kushtetutës dhe deri atëherë Kosova do të udhëhiqet nga një qeveri në detyrë.

“Nga këtu shkojmë në zgjedhje sipas kushtetutës, matemi me votë, ndërsa deri atëherë do të kemi një qeveri në detyrë, e cila po kryen me sukses detyrat dhe përgjegjësitë e saj”, përfundoi ai.