Abazi - Haradinajt: Cili shërbim sekret të solli nga dhomat e burgut në Francë e drejt në Kryeministri?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar në seancën e sotme të Kuvendit ndaj pyetjeve të Ramush Haradinajt drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Kreu i AAK-së e ka pyetur Kurtin nëse është i rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe gjatë kohës sa është mbajtur në burgjet e Serbisë.

“A je i rekrutum prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa je mbajt në burg? A mban Serbia diçka mbi ty që të mban peng? A është në rrezik Kosova prej teje si i rekrutum nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg apo nga çlirimtarët që janë detyruar me mbajt pushkën në dorë?”, pyeti Haradinaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Ai e kritikoi gjuhën e Haradinajt kundër Kurtit.

 

“Në pyetjen e z. Haradinaj, që mendoj në gjuhën tonë parlamentare nuk duhet të ekzistojë ajo formë e tentimit të poshtërimit të njerëzve që kanë përgjegjësinë dhe mandatin nga mbi 50 për qind e popullatës dhe e kthen gjuhën parlamentare në një konflikt të panevojshëm duke tentuar që të sjellë në Parlament diskutime të parëndësishme por edhe bën njëfarë lloj të helmimit të opinionit publik në formën e pyetjeve se cili shërbim sekret ka rekrutuar kryeministrin”, ka thënë Haki Abazi.

Sipas tij, dallimi në mes Kurtit e Haradinajt është se kryeministrin aktual e kanë votuar mbi 50 për qind e qytetarëve, ndërsa për Haradinajn tha se u bë shef i ekzekutivit me “marrëveshje të natës”.

“Rrjedhimisht pastaj ngrit çështje të cilat z. Haradinaj duhet të pyetur se cili shërbim sekret e ka sjell prej dhomave të burgut në Francë e drejt në Kryeministri. Pra, duhet me kuptua dallimin ndërmjet votës mbi 50 për qind të qytetarëve kundërdrejt marrëveshjeve të natës dhe të nëntokës që kanë qenë në të kaluarën dhe ky është dallim substancial i kualitetit të demokracisë”, deklaroi Abazi.

Haradinaj: Albin, a është Kosova në rrezik prej teje, si i rekretuar nga shërbimet serbe?

www.kallxo.com