AAK: Qeveria ka gënjyer zyrtarët publikë për Ligjin e Pagave

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektligjin për buxhetin e vitit 2023.

Tahiri ka deklaruar se qeveria i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë pasi sipas tij, Ligji për Paga nuk është përfshirë në buxhetin për vitin e ardhshëm.

“Qeveria i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë duke ju thënë që do sjellë ligjin e pagave, të cilin nuk e ka sjellë dhe mbi të gjitha duke mos e vendosur në buxhet vijën e cila do të futet në zbatim këtë vit dhe njëkohësisht vlerën e koeficientin”- ka deklaruar Tahiri, në një konferencë për media të martën nga oborri i Kuvendit të Kosovës.

Tahiri po e konsideron se ky është një ndër mashtrimet më të mëdha që ka bërë qeveria.

“E kanë luajtur një lojë shumë të ulët qe nuk e kanë pru Ligjin e Pagave paraprakisht në mënyrë që me thënë që në buxhet të vitit 2023 nuk mund ta fusim buxhetin për ligjin e pagave për shkak se nuk është miratu ligji. Ky është një ndër mashtrimet më të mëdha që e ka bo kjo qeveri 80 mijë  zyrtarëve dhe goditje e madhe ndaj shërbimit publik”- u shpreh ai.

Më tej, Tahiri tha se si grup parlamentar do të prezantojnë një amendament në buxhet që parasheh ngritje të pagës për zyrtarët publikë.

“Si grup parlamentar kemi marr vendim të prezantojmë një amendament në këtë buxhet që lidhet me ngritje lineare të pagës për zyrtarët publikë në të gjitha nivelet 30%, përveç të emëruarve politik pra, deputetëve, ministrave e anëtarëve të kabinetit ndërsa të tjerët të kenë rritje”- njoftoi Tahiri.

Kurse, anëtari i Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj tha se kjo ngritje e pagësdo të kërkohet deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2023 që pritet të jetë rreth 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se të hyrat buxhetore presin që të ketë rritje prej 2 miliardë e 884 milionë euro.