A po refuzojnë të dënuarit për terrorizëm të jenë pjesë e programeve rehabilituese?

Në Kosovë janë kthyer dhjetëra kosovarë nga zonat e luftës. Gra, burra e fëmijë tashmë janë pjesë e aktiviteteve të shumta të cilat janë duke u udhëhequr nga Ministria e Punëve të Brendshme që nga kthimi i tyre.

Hulumtimet e KALLXO.com disa herë kanë treguar se të përfshirë në këto programe dhe aktivitete janë vetëm ata kosovarë që janë kthyer nga zonat e luftës nga viti 2019 e tutje.

Të tjerët që janë kthyer vullnetarisht vite më parë por edhe familjarët e tjerë të personave që kanë udhëtuar drejt zonave të konfliktit në Siri e Irak nuk janë të përfshirë në këto aktivitete.

Në anën tjetër, këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Ferdinand Nikolla, i cili do të jetë udhëheqës i strategjisë së re kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, tregon në emisionin “Kallxo Përnime” se ka të dënuar për terrorizëm që nuk duan të jenë pjesë e programeve të ndryshme që ofrohen brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Ka njerëz të caktuar, përfshirë edhe këta që janë në burgje, të cilët thonë që unë nuk du mu marrë me ty hiç, e kryej dënimin 5 vjet, do të rri në burg, nuk du me mësu as elektricist as ujësjellës as kurrgjë. Nuk mundesh me ua imponu, duhet me pasë shumë kujdes, është komplekse sepse secila prej tyre është natyrë individuale”, thotë Nikolla.

Ai shton se të dënuarit që përfundojnë dënimin në burgjet e Kosovës monitorohen nga strukturat e sigurisë në Kosovë.

“Një aspekt pozitiv i atyre që dalin nga burgjet është që institucionet e sigurisë këta i kanë nën llupë, secilin në çdo hap dhe e në çdo lëvizje. Ata janë të mbikëqyrur 24 orë, pra potenciali për rrezik ekziston por kontrolli është i jashtëzakonshëm për ta”, tha Nikolla

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com, tha se monitorimi i atyre që kanë mbajtur dënime për terrorizëm nuk bëhet me përgjues për shkak se kjo është edhe e kundërligjshme.

“Nuk monitorohen 24 orë dhe mos t’i frikësojmë ata që i kanë pajisjet e përgjimit gjithë kohën, nuk ka njësi të vëzhgimit që janë duke i këqyrë nëpër shtëpi të tyre se çka janë duke bërë pra ka eventualisht një monitorim prej distancës por jo direkt prej policisë me këqyrë gjatë gjithë kohës. Do të ishte edhe i kundërligjshëm ky monitorim për shkak se njerëzit nuk munden me qenë në përgjim pa urdhër të gjykatës”, tha Gashi.

Ai sërish përmendi lëshimet që janë bërë nga ana e gjykatave në Kosovë në lidhje me vendimet për dënimet për ata që dyshohen se kanë marrë pjesë në organizata terroriste e ata që kanë shkuar në Siri e Irak.

“Momenti kur janë shpallur aktgjykimet prej gjykatave tona ka pasur një gabim fatal që po na kushton tash në procesin e risocializimit. Gjykatat tona në momentin kur kanë shqiptu dënimet për burg kanë mujtë me shqiptu edhe dënimin plotësues ndjekjen e kurseve, trajnimeve përfundimin e shkollave riaftësimin profesional e të tjera. Në mungesë të këtij veprimi, apo vizioni ne tash e kemi pasojën që jemi tu e reflektu. Njerëzit kanë refuzu me shku në kurse, me i marrë programet me shku në trajnime”, thekson Gashi.

I njëjti thekson se duke pasur parasysh pikat kryesore që kanë shtyrë kosovarët të shkojnë në Siri e Irak të cilat identifikohen edhe me strategjinë e vjetër dhe puna në terren me aktivitete të dënuarit mund të jenë edhe problem në të ardhmen.

“Nëse e marrim pjesën e faktorëve ekonomikë është bukur shqetësuese për shkak se njerëzit në mungesë të punës, në mungesë të perspektivës, munden me bo probleme edhe në të ardhmen dhe munden mos me mbërri atë qëllimin pse janë dërgu në burg dhe pse është marrë shteti me ta”, tregon Gashi.

Fadil Kajtazi, njohës i çështjeve të terrorizmit dhe ekstremizmit, përmendi edhe faktorin e gjendjes aktuale e cila është në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Kemi përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, nuk do të thotë që nuk do të kemi manifestim të akteve terroriste që kanë me mbështetë ideologjinë e njërës palë apo palës tjetër. Tash janë në lojë vendet ortodokse, nuk janë vendet islamike dhe nuk do të thotë që diku në Evropë që nuk do të jetë një fenomen që lidhet me këtë ideologji prandaj Kosova, brenda nuk kemi pasur ndonjë akt terrorist që ka rreziku sigurinë e Kosovës, ka qenë serioze ajo puna e liqenit të Badovcit mirëpo nuk do të thotë që nuk do të ketë diçka të tillë. Strukturat policore, ato inteligjente e gjyqësori duhet me bo punën e tyre qysh është më së miri, parandalimi më i mirë është kjo”, tha Kajtazi.

Ai tregon përvojën e tij gjatë kohës sa ishte pjesë e Mekanizmit Referues në Gjilan.

Mekanizmi Referues është program apo platformë e cila përbëhet nga një grup i institucioneve lokale me qëllimin e vetëm të identifikimit, vlerësimit, ofrimit të ndihmës dhe trajtimit të personave të cilët rrezikojnë të bëhen pjesë e konflikteve të huaja apo shfaqin ideologji të dhunshme apo ekstreme.

VIDEO: Si funksionon Mekanizmi Referues në Gjilan për parandalimin e ekstremizmit

“Në Kosovë janë disa faktorë që na kanë çu deri te ajo derë, e para pasluftës deri në vitin 2010 ka hy e ka dalë kush ka dashtë në Kosovë dhe ka mujtë me sjellë lloj-lloj ideologjie dhe performancë. E dyta kuadri i jonë që shkollohet, i fesë islame, nuk shkollohet me një shkollë të caktuar. Faktori te këta që kanë shku ka qenë ideologjik por te ata që e kanë ditë ka qenë punë biznesi, janë pagu pare të mëdha me rekrutu”, tregon Kajtazi deri sa shton se disa nga ata që kanë shkuar në Siri e Irak nuk kanë pasur problem aspektin financiar.

Tutje Kajtazi thotë edhe se monitorimi i Bashkësisë Islame nuk ka qenë në nivel në kohën kur ka filluar kjo dukuri.

“Bashkësia Islame nuk e ka pasur kontrollin e duhur siç e ka sot. Tash është dukshëm më i mirë. Në kohën kur kam qenë në Mekanizmin Referues kemi arritur që të parandalojmë një kontingjent të të rinjve që kanë pasur predispozita me hy në këtë ideologji dhe faktori që ka ndiku ka qenë njëri Bashkësia Islame që ka ndihmu shumë dhe ka ndiku shkolla”, shton Kajtazi.

Ferdinand Nikolla nga MPB tregon edhe se fokusi i të dënuarve për terrorizëm do të jetë trajtimi i profileve të tyre.

“Të jemi realistë, sigurisht që këta persona që kanë luftu atje sot janë dënuar me dënime efektive, këta përbëjnë rrezik sigurisht që janë të rrezikshëm dhe për atë po them që fokusi ka qenë të trajtojmë këtë profil. Po punojmë paralel jemi duke punu me prioritete kemi njerëz e thash që çfarë do biznesi ofroja ai hala e ka kokën te pamjet në Siri”, tha Nikolla.

Kosova ka rikthyer më shumë se 100 persona nga zonat e konfliktit në tre vitet e fundit.

Burrat, gratë e fëmijët e kthyer disa nga ta pa asnjërin prind, janë duke u përballur me procesin e riintegrimit duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteve të cilat po aplikohen nga institucione të ndryshme në Kosovë.

KALLXO.com në disa hulumtime dhe emisione të transmetuara vitet e fundit ka treguar mungesën e kapaciteteve në nivelin lokal por edhe atë të nivelit qendror për të riintegruar të rikthyerit nga zonat e konfliktit.