VIDEO: Si funksionon Mekanizmi Referues në Gjilan për parandalimin e ekstremizmit

Komuna e Gjilanit që më shumë se pesë vite ka në funksion Mekanizmin Referues në të cilin janë të përfshirë shumë institucione lokale.

Mekanizmi Referues është program apo platformë e cila përbëhet nga një grup i institucioneve lokale me qëllimin e vetëm të identifikimit, vlerësimit, ofrimit të ndihmës dhe trajtimit të personave të cilët rrezikojnë të bëhen pjesë e konflikteve të huaja apo shfaqin ideologji të dhunshme apo ekstreme.

Në platformën e Mekanizmit Referues në Gjilan bën pjesë Zyra e Kryetarit në të cilin është i përfshirë nënkryetari si udhëheqës i grupit, policia, drejtoria e arsimit, një psikolog, Qendra për
Punë Sociale, Enti për punësim, FSK, Bashkësia Islame, përfaqësuesi nga komuniteti turk, përfaqësuesi nga komuniteti serb- ortodoks, Drejtoria e Shëndetësisë si dhe shërbimi psikiatrik.

Funksionimi i këtij grupi varet nga rastet të cilat identifikohen nga institucionet që janë të përfshira.

Për shembull nëse në një shkollë identifikohet një rast atëherë njoftohet Drejtoria e Arsimit e cila fillon trajtimin e problemit dhe nëse nuk ka rezultate pozitive, njoftohen institucionet lokale të grupit deri te ato qendrore.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, njëherit edhe drejtues i këtij mekanizmi Arbër Ismajli tregon se si funksionon ky mekanizëm.

“Roli i këtij mekanizmi është parandalimi i personave të hershëm që supozohet të devijojnë në radikalizëm ekstrem apo ekstremizëm. Përbërja e këtij mekanizmi është pothuajse nga të gjitha institucionet lokale dhe qendrore që janë në Komunën e Gjilanit dhe janë vazhdimisht aktiv në punën që e bëjnë. Thuajse ka 5 vite që funksionon ky mekanizëm”, thotë Ismajli.

Ai tregon edhe për mardhëniet mes akterëve të këtij mekanizmi.

“Mardhëniet janë jashtëzakonisht të mira. Takimet janë mujore brenda mekanizmit, identifikimin e rasteve varësisht ku ndodh se ku hetohet dhe e trajtojnë personat kompetent”, tregon Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ai shton se në rast se kërkohet trajtim nga ana e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, rasti kalon te ai anëtar i mekanizmit dhe nëse nuk ka sukses në trajtim janë instancat tjera të cilat vazhdojnë të merren me rastin.

“Janë instancat tjera institucionet e drejtësisë, që nëse nuk ka ndodnjë përparim apo nëse nuk mundemi me parandalu rasti shkon te ata sepse unë e thash nuk jemi ekip hetuese por punojmë si mekanizëm për parandalim”, tregon tutje Ismajli.

Tutje, Ismajli shton edhe se i personat e parandaluar për tu bashkangjitur në luftërat e huaja janë kyçur përmes departamentit për Punë Sociale.

“Këta që i kemi parandalu janë kyç përmes departamentin për Punë Sociale ndërsa këta që janë kthyer komuna u ka ofruar kushte në shkollim, për inkuadrim diku rreth pesë familje janë në Gjilan që janë kthyer nga luftërat e huaja në Siri dhe Komuna e Gjilanit i ka trajtur dhe i ka futur në institucione shkollore”, thotë ai.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi tregoi edhe se si po merren me gratë e rikthyera nga luftërat e huaja.

“I kemi gjithsej, përvec ata që kemi biseduar edhe më herët me parandalim tani këto që janë kthyer i kemi shtatë familje me gjithsej 24 anëtarë dhe dua të përfshij edhe një rast që kemi një nënë me një fëmijë, burri i saj po vuan burgun i njëjti është parandaluar po gjithsesi i njëjti po vuan dënimin për atë që ka tentuar të bëj. Por që shtatë familje me 24 anëtarë janë duke marrë shërbimet e nevojshme nga QPS përfshi edhe trajtimet psiko- sociale, asistencë sociale”, tegon drejtori Zymberi.

Majlinda Hoxha nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, dha një shembull se si kanë arritur një sukses me një nxënës të një shkolle në po këtë komunë.

“Vetë fakti i këtyre rasteve është mjaft sfidues. Më kujtohet një rast kur është dashur të intervenojmë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku realisht ne jemi prezantuar si Drejtori e Arsimit duke mos përfshi edhe Policinë e Kosovës. Informata pati ardhur nga prindi sepse rasti ka refuzuar të dalë edhe nga shtëpia dhe në bashkëunim me Policinë e Kosovës në shtëpi dhe jemi interesuar se pse pala nuk po shkon në shkollë. Falë bashkëpunimit pas një periudhe të gjatë që ka qëndruar në shtëpi e kemi bindur që ta kthejmë në shkollë”, thotë Hoxha.

Ajo shton edhe se merren me rastet varësisht se si ndahet mes akterëve.

“Varësisht nga rasti, nëse ka të bëj ose nëse është nxënës i shkollës roli im është që të komunikoj direkt me kujdestarin, drejtorin dhe prindin”, tregon punët e Drejtorisë Komunale të Gjilanit brenda mekanizmit, Hoxha.

Naim Aliu, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame thotë se në Mekanizmin Referues kanë pasur dy anëtarë që kanë kryer punën në mënyrën më të mirë.

“Këshilli i Bashkësisë Islame edhe para themelimit të këtij mekanizmi meqenëse problemet globale kanë prekur edhe vendin tonë, ne kemi ndërmarrë masa përmes xhamive, punëtorëve imamëve në xhamia përmes ligjëratave të ndryshme. I kemi dërguar qarkore të gjithë imamëve që të shfrytëzojnë në cdo vend dhe të flasin rreth zhvillimeve të asaj kohe që kanë prekur edhe komunën tonë. Pra me themelimin e Mekanizmit Referues, Këshilli i Bashkësisë Islame ka dërguar dy anëtarë të vetë aty që kanë qenë shumë aktiv ku kemi pasur edhe lavdata, ato raste që janë raportuar në këtë mekanizëm pamarëparasysh, nxënës apo person tjetër që është parë që nuk ka pasur sjellje në rregull kanë shkuar janë takuar me ata persona dhe janë munduar që të u tregojnë se feja, nuk janë të asaj natyre ashtu siç e kanë marrë me shumë eufori”, tha Aliu.

Ai shton edhe se sa raste kanë trajtuar Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan.

“Katër raste anëtarët e Këshillit të Bashkësisë Islame ku kanë marrë pjesë kanë rezultuar të suksesshëm dhe ata janë njerëz që nuk kanë pasur sjellje normale me bashkëmoshatarët e tyre apo shoqërinë por kemi pasur suksese në ato raste që kemi trajtuar”, thotë Kryetari i KBI-së, Naim Aliu.

Xhevat Aliu, Drejtor në Qendrën për Punësim shpjegon edhe se si e kanë trajtuar një rast që iu ishte referuar atyre.

“Ne si isntitucion më tepër jemi marrë me çështje të ri-integimit të referuar te ne. E kemi pasur një rast që është përcjellur te ne, e kemi transferuar në njërën nga qendrat e aftësimit profesional dhe ai është kthyer sërish te ne tani bën pjesë e tregut të punës. Faktikisht është tërhequr nga dukuritë që ka qenë pjesë e një dukurie të tillë. Raste të tjera deri më tani nuk janë referuar te ne por jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në çështjen e ri- integrimit”, tregon tutje Aliu.

Një Mekanizëm Referues i cili shërben për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit gjendet vetëm në Gjilan.

Gjilani ishte ballafaquar me shkuarje në Siri e Irak të qytetarëve të saj ndërsa pas rikthimit të 110 kosovarëve nga luftërat e huaja, rastet po trajtohen veç e veç.

Në shumë emisione Drejtësia në Kosovë, ka treguar për problemet e institucioneve relevante për trajtimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.