Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A ofron transport për pacientët me COVID-19 Komuna e Prishtinës?

Të gjithë prishtinasit të cilët janë të infektuar me COVID-19 e të cilët nuk kanë mundësi të transportit për t’i marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore, këtë e ofron Komuna e Prishtinës.

Kështu ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet.

“Nuk është e domosdoshme që pacientët me COVID-19 me marrë autobusin me shku në QKMF me marrë shërbime, infuzionin për COVID. Ata që nuk kanë mundësi, numrat janë pa pagesë në Prishtinë, njëzetë numra, plus numri 194 i urgjencës, të gjitha ato raste sociale dhe ata që s’kanë mundësi teknike për me realizu prej shtëpisë, ose një vizitë në qendër, e kanë mundësinë për me i thirrë këta numra pa pagesë dhe ekipet i vizitojnë në shtëpi”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Por, ai tha se pacientëve nuk u ofrohet terapi në shtëpi por ajo bëhet nëpër qendrat e mjekësisë familjare.

“Ne, në komunën e Prishtinës, pacientëve nuk u japim terapi në shtëpi, sidomos terapi me antibiotik. Ata barten në “Emshir” ose në një institucion tjetër dhe merret terapia. Qendra në “Emshir” i ofron 500 shërbime brenda ditës, ku në pjesën tjetër qytetarët nuk kanë komunikim mes njeri-tjetrit”, deklaroi Gashi.

Ai ka folur edhe për ata pacientë të cilët janë të infektuar me COVID-19 e të cilët dalin në qytet.

“Është e pamundur me i kontrollu 4 mijë raste aktive në kryeqytet, kjo mund të bëhet me kontrolle sporadike sa ata me kuptu që dikush po i kontrollon”, tha ai.