A do të përfundojë lufta e Kosovës ndonjëherë?

Vendi është i dënuar me një cikël krizash. Ka një afat kohor strikt për krizat në Kosovë. Kronologjia është kësisoji. Së pari, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet liderit të Serbisë dhe atij të Kosovës, pala kosovare i cakton një afat për të bërë këtë apo atë, ose do të ngrihen barrikada në veriun e Kosovës të banuar nga serbët. Diplomatët ndërhyjnë me shpejtësi, thuhen fjalë të ashpra dhe ushtria serbe vendoset në kufi, duke u siguruar që videot e autokolonave ushtarake të qarkullojnë në mediat sociale. Nacionalistët serbë fantazojnë se në fakt do të bëjnë diçka dhe tabloidët serbë plasojnë lajme se shqiptarët e Kosovës janë gati të bëjnë luftë kundër popullit të tyre.

Në këtë pikë, një pjesë e mediave perëndimore alarmohen dhe gazetarët, të cilët duket se nuk e kuptojnë asnjëherë se NATO-ja ka mijëra trupa në Kosovë të zotuar për ta mbrojtur të njëjtën nga Serbia, mendojnë se mund ta pushtojë atë me trupa ushtarake. Pastaj, marrëveshja arrihet, dhe barrikadat largohen deri në vendosjen e tyre të radhës.

Barrikadat që u ngritën për 20 ditë janë hequr dhe të gjithë kanë shkuar në shtëpi – mirëpo kësaj radhe, rezultati do të kishte me qenë i rrezikshëm. Barrikadat ishin në fakt kamionë që bllokonin rrugët në rreth 14 lokacione. Pak më shumë se një javë më parë, teksa vizitova një të tillë në fshatin Rudare, një koleg na e tregoi një cisternë benzine. Njerëzit nuk ishin shumë të lumtur për këtë, tha ai. Cisterna ishte plot; në rast se do të kishte një incident të dhunshëm, cisterna mund të kishte shpërthyer.

Ndërkohë që po flisnim, gjyqtarë, mësues, mjekë – në fakt, dukej e gjithë elita e lartë e veriut serb të Kosovës – sillej vërdallë lart e poshtë, duke biseduar me miqtë dhe duke i ngrohur duart e tyre mbi mangallat flakëruese. Disa ishin këtu sepse donin të ishin, të tjerë sepse shefat e tyre të emëruar politikë i kishin urdhëruar të ishin. Këtu ishin edhe liderët e partisë kryesore serbe të Kosovës. Në qytetin e afërt të ndarë të Mitrovicës, ku jetojnë serbët në veri dhe shqiptarët në jug, veriu është i zbukuruar me flamuj serbë dhe i bojatisur me kreshta me shabllone të diçkaje të quajtur “Brigada e Veriut”. Aty thuhet: “Mos u shqetësoni … Ne jemi duke pritur!” Por kush janë ata? Një milici serbe në pritje? Askush nuk e di me siguri.

Me tone të heshtura, banorët më thonë se vitin e fundit janë dërguar 600 burra për stërvitje ushtarake në Serbi. Por nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse nuk filloni t’u bëni pyetje njerëzve që me të vërtetë nuk do t’i vlerësonin, çfarë është e vërtetë dhe çfarë është dezinformata e përhapur nga BIA, shërbimi inteligjent i Serbisë, i cili besohet gjerësisht se mban frenat në dorë këtu. Ndërkohë, banorët e zonës ishin në radhë në pikat e automatave bankare. Me barrikadat që i kishin mbyllur dy pikat kufitare në veri, ata ishin të shqetësuar se bankat do të mbesin pa para.

Pyetni njerëzit në Mitrovicën e Veriut se çfarë duan dhe, në fund të fundit, kjo është thjesht një jetë normale – lloji që askush këtu nuk e ka shijuar për më shumë se një çerek shekulli. Por sa e mundshme është kjo? Si të pritet Nyja Gordiane e Kosovës, e cila, fatin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës (dhe Kosovës dhe Serbisë) e kanë lënë të ndërlidhur me njëri-tjetrin? Lufta e Kosovës përfundoi në vitin 1999, megjithatë, diplomatët dhe liderët politikë nuk kanë qenë në gjendje ose nuk kanë dashur të dakordohen për një marrëveshje përfundimtare për bashkëjetesë paqësore.

Në vazhdën e shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë, Kosova, krahina jugore e Serbisë, mbeti e mbyllur brenda Serbisë – edhe pse popullsia e saj ishte me shumicë etnike shqiptare, e refuzoi sundimin serb dhe u shtyp me forcë nga Sllobodan Millosheviqi, udhëheqësi i atëhershëm i Serbisë, i cili e kishte suprimuar autonominë e krahinës së Kosovës atëbotë. Pas luftës në Kosovë të viteve 1998-99 ndërmjet kryengritësve kosovaro-shqiptarë dhe Serbisë, dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova u bë protektorat i OKB-së. Në vitin 2008, Kosova e shpalli pavarësinë. Kjo u pranua nga shumica, por jo të gjitha vendet perëndimore dhe u refuzua nga Serbia, Rusia dhe Kina ndër të tjera. Shqiptarët e Kosovës argumentuan se kishin të drejtën e vetëvendosjes; Serbia argumentoi se integriteti i saj territorial nuk mund ta tejkalojë një gjë të tillë, edhe pse askush në Serbi nuk dëshironte apo dëshiron tani ta riintegrojë një rajon plot me shqiptarë armiqësor.

Nga totali i popullsisë prej 1.8 milionësh në Kosovë, rreth 100,000-120,000 prej tyre janë serbë. Më shumë se gjysma jetojnë në Kosovën qendrore dhe jugore, ndërsa pjesa tjetër jetojnë në veri, një zonë kompakte e ngjitur me territorin e Serbisë. Tani, thonë serbët vendas në veri, gjërat kanë ndryshuar. Marko Jakshiq, një avokat dhe aktivist politik nga Mitrovica e Veriut, thotë se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, “po bën të njëjtat gjëra sikurse i bënte Millosheviqi gjatë viteve të nëntëdhjeta, vetëm se tani kemi ndryshuar anë”. Është lloji i argumentit që i bën shqiptarët e Kosovës të eksplodojnë nga inati.

Unë dhe Jakshiq po bisedonim në një kafene hoteli disa qindra metra larg urës mbi Ibër që ndan qytetin në dysh. Ai e nis bisedën duke treguar se pikërisht para 10 vitesh e kisha pyetur se cila ishte zgjidhja për Kosovën ndërkohë që përgjigjia e tij kishte qenë se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ishte “aty lart”, domethënë në veri të vendit ku ishim ne, por “në urë”. Ai beson se Kosova duhet të ndahet. Është një ide që sillet vërdallë sikurse një baticë deti. Derisa u dorëzua në Hagë në vitin 2020 për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte, Hashim Thaçi, deri atëherë presidenti i Kosovës, dhe lideri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luajtën me idenë e ndarjes, mirëpo shtetet kryesore perëndimore ishin kundër një ideje të tillë.

As ndarja nuk ishte e pranueshme në Kosovë dhe Serbi. Problemi nuk ishte veriu i Kosovës, por precedenti. Nëse veriu i Kosovës i kthehej Serbisë, atëherë ç’të themi për Luginën e Preshevës së populluar nga shqiptarët në Serbi ose rajonet e banuara me shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ose rajonet serbe dhe kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës? Pra, Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur. Atëherë, si mund të jetojnë serbët e Kosovës një jetë normale në Kosovë, veçanërisht në veri?

Përgjigja për këtë pyetje është çuditërisht e thjeshtë. Me vullnet politik, nuk ka asnjë mosmarrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mes serbëve dhe shqiptarëve, që nuk mund të zgjidhet ose të paktën të fshihet. Të dyja palët kanë qenë pjesë e një dialogu të sponsorizuar nga BE për më shumë se një dekadë dhe shumë marrëveshje janë arritur – ndonëse jo të gjitha janë zbatuar.

Pushtimi rus i Ukrainës ka injektuar gjithashtu energji të re në negociatat, të cilat udhëhiqen nga ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak me mbështetje të  diplomatit amerikan, Gabriel Escobar. Megjithatë, që nga qershori, dy të lartcekurit i kanë ulur tensionet, duke i mposhtur krizat mbi targat, letërnjoftimet dhe tani barrikadat. Mirëpo ata kanë një plan, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, i cili mund të jetë baza për një zgjidhje afatgjatë. Diplomatët flasin për “dy Gjermanitë”, me të cilat nënkuptojnë se Serbia dhe Kosova mund të jetojnë krah për krah njëra-tjetrës (siç bënë dy Gjermanitë e Luftës së Ftohtë), duke mos e njohur njëra-tjetrën zyrtarisht por si shtete të pavarura.

Megjithatë, kjo është vetëm gjysma e ekuacionit. Në këmbim të njohjes de facto, që do të thotë të trajtohet si shtet fqinj nga Serbia, Kosova pritet t’i përmbahet zotimit të nënshkruar në vitin 2013 me të cilin komunat serbe në Kosovë mund të formojnë një lloj asociacioni, duke u dhënë atyre autonomi efektive në fusha të tilla si shëndetësia dhe arsimi. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka refuzuar këtë lloj asociacioni dhe kryeministri aktual Albin Kurti pati bërë fushatë energjike kundër saj në kohën sa ishte në opozitë, por tani presioni është mbi mbështetësit e tij perëndimorë për ta gjetur një mënyrë për ta themeluar asociacionin e lartcekur në një formë apo në një formë tjetër.

Kriza aktuale e ka vështirësuar kauzën e normalizimit. Serbët kanë dhënë dorëheqje nga parlamenti, nga gjyqësori dhe, në pjesën veriore edhe nga policia e Kosovës. Ata gjithashtu janë dorëhiqur edhe nga asambletë lokale, duke shkaktuar zgjedhje të reja të cilat tani janë shtyrë deri në muajin prill pasi zyrat elektorale në veri u sulmuan. Tatjana Lazareviq, redaktore e faqes së lajmeve ‘KoSSev’ në veri, thotë se qyshkur serbët u larguan nga policia, pjesëtarët shqiptarë të Policisë së Kosovës janë dërguar në veri dhe banorët e atjeshëm lokalë i shohin ata “100% si një forcë okupuese”. Ajo shton se serbët në veri “nuk donin të integroheshin në shtetin e Kosovës… dhe as nuk e duan sot një gjë të tillë”. Mirëpo nëse ka një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, mendon ajo, njerëzit thjesht do të jetojnë me të. 

Nëse do të ishte rasti, nëse do të kishte një marrëveshje, çfarë zgjedhje do të kishin serbët e Kosovës? Veriu i Kosovës mund të jetë një vend i rrezikshëm. Nëse është në interesin e Serbisë ta bëjë një marrëveshje, mospajtimi nuk do të tolerohet. Ky është një vend ku politika dhe krimi i organizuar janë në sinkron edhe më shumë se kudo tjetër në Ballkan.

Megjithë lojën me baste të mëdha të luajtura me barrikadat këto javët e fundit, nuk është gjithçka zi e terr. “Tensionet nuk kanë qenë kurrë më të larta në këto 20 vjet; Mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë” më tha Lajçak. Mirëpo Jeff Hovenier, ambasadori amerikan në Kosovë më tha se, përderisa qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen. Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë punë si një hap të përkohshëm drejt kësaj… ka mundësi reale.”

Ivan Vejvoda, analist serb dhe udhëheqësi i programit ‘Europe’s Futures’ të Institutit për Shkenca Humane në Vjenë është dakord me këtë. Pavarësisht ngecjes aktuale, “të dyja palët e kuptojnë se duhet ta bëjnë një gjë të tillë, por ata ende po kërkojnë një mënyrë për të dalë si palë fituese, porse fitues nuk ka. Të gjithë do të humbasin diçka – ose më mirë, askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron. Por kjo është pikërisht ajo që ka të bëjë me kompromisin: të arrihet një situatë ku dikush vazhdon tutje.” Më pas ai vazhdoi me listimin e shembujve nga Irlanda e Veriut në Ishujt Faroe, nga vendi Bask deri në Tirolin e Jugut, ku janë siguruar të gjitha zgjidhjet e zbatueshme për të drejtat e pakicave.

Vetë Kurti mendon se Serbia nuk është e interesuar për një kompromis dhe Vuçiqi thotë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Vuçiq ende dëshiron ndarje, më tha Kurti dhe flet sikur është “në kërkim të një makine që udhëton  në kohë, herë dëshiron të kthehet në vitin 1999 e herë në vitin 2007 [para shpalljes së pavarësisë së Kosovës], por ju e dini… treni ka ikur nga stacioni tashmë. Nuk mund të kthehemi më atje.” Shumë nga diplomatët e shohin Kurtin kokëfortë dhe kjo ia ka humbur atij njëfarë mbështetjeje perëndimore, por politika e tij për të qenë më bindës dhe energjik në raport me Vuçiqin ka dhënë rezultate. Vuçiq është në defanzivë dhe i është dashur të lëshojë pe për disa çështje gjatë muajve të fundit: më 15 dhjetor, Kurti aplikoi për kandidaturën e Kosovës në BE dhe gjithashtu më në fund ka siguruar një premtim se qytetarët e Kosovës nuk do të kenë më regjim të vizave Shengen nga viti 2024.

Megjithatë, mes gjithë këtyre zgjidhjeve teknike, një pjesë e problemit – në fakt, një pjesë shumë e madhe e problemit – është personale. Disa vite më parë, intervistova Hashim Thaçin, i cili ka qenë anëtar udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Vuçiq ishte ministër në qeverinë e Millosheviqit. Kur mbaroi intervista më pyeti: “A po shihesh me Aleksandrin?” Në fillim, rashë në konfuzion – më pas kuptova se ai po fliste për Vuçiqin. Në ditët e sotme nuk ka të tilla finesa kur dikujt i drejtohesh vetëm me emër. Vuçiq dhe Kurti e shohin njëri-tjetrin me përbuzje. Kur Vuçiq ishte ministër, Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb; më 1 dhjetor, Vuçiq e quajti publikisht Kurtin “llum terrorist”. Mungesa e çdo raporti personal e bën shumë më të vështirë gjetjen e një marrëveshjeje.

Pasi u larguam nga Mitrovica e veriut, unë dhe Jakshiq shkuam te ura mbi Ibër ndërkohë që po kthehesha në jug në drejtim të Prishtinës, kryeqytetin e Kosovës. Mund të ecësh nëpër këtë urë, ndonëse është e ndaluar për qarkullim që nga viti 1999. Jakshiq më tha se, si administrator i gjykatës për gjykatën e unifikuar të Mitrovicës, ai dhe kolegët e tij shqiptarë ishin ndarë me lot në sy, kur ai, si të gjithë serbët në gjykatë, kishte dhënë dorëheqjen kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Tani nuk ka më kthim prapa, mendoi ai. Por më pas ne qeshëm nëse do t’ia bëja të njëjtat pyetje edhe pas 10 vitesh. Nëse do të vëja bast, do të thosha se kishte 60-40 mundësi që do t’ia bëja të njëjtat pyetje edhe pas 10 vitesh./Unherd.com