Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. FOTO: Bajram Begaj/Facebook.

75-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB

Në 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kujtuar se ky përvjetor përkon me zgjedhjen për herë të dytë të Shqipërisë anëtare në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Përveç kësaj, presidenti shqiptar e ka quajtur këtë deklaratë ‘dokument themelor’ që ka shënuar historinë e të drejtave të njeriut.

‘’Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore’’, ka shkruar presidenti Begaj në profilin e tij në Facebook.

Sipas presidentit Begaj, institucionet e Shqipërisë do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë.

Më 11 tetor 2023, me 123 vota pro Shqipëria është zgjedhur për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.

Ndërsa, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, andaj sot shënohet Dita e të drejtave të njeriut.