Foto: Atdhe Mulla

6 muaj burg për mitrovicasin që falsifikoi 246 vota në zgjedhjet e vitit 2017

Një mitrovicas është dënuar me 6 muaj burgim, pasi që u gjet fajtor se në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 për Kuvendin e Kosovës, në cilësinë e kryetarit të një vendvotimi, ai ka falsifikuar vota.

E.O. këto falsifikime akuzohet se i kishte bërë duke hequr votat e disa kandidatëve e duke ua shtuar disa kandidatëve të tjerë.

Konkretisht, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i akuzuari kishte regjistruar në mënyrë të pasaktë 246 vota, prej të cilave, 112 i kishte shtuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës, 60 për Lëvizjen Vetëvendosje dhe 56 për Partinë Demokratike të Kosovës. Ai po ashtu kishte hequr 8 vota për PDK-në dhe 10 për LDK-në.

I akuzuari ka pranuar në tërësi fajësinë duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të lodhjes, sepse ka punuar 26 orë ose më shumë dhe se ju ka besuar më shumë se që duhet anëtarëve të tjerë të komisionit, por që edhe i ka neglizhuar pak obligimet e tij.

Ai ka shprehur keqardhje të thellë dhe ka thënë se nuk e ka përsëritur e as nuk do e përsërisë më vepra të tilla.

Si rrethana rënduese, gjykata ka marrë faktin se i pandehuri këtë vepër e ka kryer derisa ka qenë përgjegjës në vendvotim dhe duke e shfrytëzuar situatën si përgjegjës i atij vendvotimi, faktin se pasojat e kësaj vepre kanë ndikuar te pjesëmarrësit e tjerë në zgjedhje e sidomos te ulja e besimit të publikut në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë.

Si rrethana lehtësuese Gjykata e ka vlerësuar pranimin e fajësisë, shprehjen e keqardhjes dhe pendimin.

Po ashtu faktin se për të pandehurin është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin, kohën e gjatë që ka kaluar nga kryerja e kësaj vepre, më shumë se 5 vjet e gjysmë, që gjykata thotë se mund të konsiderohet një kohë relativisht e gjatë, duke pasur parasysh natyrën e kësaj vepre penale e po ashtu faktin se pas këtyre zgjedhjeve janë mbajtur edhe disa palë zgjedhje tjera dhe moshën e re të akuzuarit në atë kohë kur ka ndodhur vepra.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” thotë se kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim prej një deri në tri vjet.

E kur kjo vepër kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej tri deri në pesë vjet.