Seanca gjyqësore e Svetomir Baçeviq | Foto: KALLXO.com

5 vjet burg për Svetomir Baçeviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë

I akuzuari për krime lufte, Svetomir Baçeviq është shpallur fajtor në lidhje me veprën që I vihej në barrë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur vajtor Baçeviqin dhe i ka shqiptuar dënimin me 5 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokuroria Speciale po e ngarkonte Baçeviqin për veprën, krim kundër popullatës civile.

Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej që gjatë muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë ka marrë peng të dëmtuarën T.K., në atë kohë 60-vjeçare.

Baçeviq në natën kritike me armë automatike fillimisht nga distanca gjuan në drejtim të dritareve dhe kulmit, ku e dëmtuara ishte duke qëndruar.

Pastaj duke përdorur forcën arrin që të hyjë brenda shtëpisë, dukë dëmtuar gjësende me pretekstin se është dukë kërkuar për njerëz të tjerë.

I akuzuari nën kërcënimin e armës nxjerr nga shtëpia të dëmtuarën, ku bashkëshortit të T.K. i thotë që të njëjtën mund ta marrë në shtabin e ushtrisë vetëm pasi t’i dorëzojë pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje në aktakuzë thuhet që Baçeviq të dëmtuarën e dërgon te një shitore e fshatit ku e mbështet për muri vazhdimisht duke i drejtuar tytën e armës dhe i rri në një distancë shumë të afërt më qëllim të poshtërimit në prezencë të shumë personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, në këtë rast ndërhyn Momqillo Saviq duke u përleshur më të akuzuarin dhe duke e goditur me grushte në kokë, ku pastaj i ndihmon të dëmtuarës që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim sipas Prokurorisë Speciale Svetomir Baçeviq ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.

Baçeviq ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2020.