Foto-ilustrim

Gjykimi për krime lufte i Svetomir Baçeviqit prek fundin

Në seancën e sotme të gjykimit të Svetomir Baéeviqit, i akuzuar për krime lufte, mbrojtja dhe Prokuroria kanë paraqitur fjalën përfundimtare.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës theksoi se  qëndron në tërësi pranë aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2021.

Prokuroria kërkoi nga Gjykata e Prishtinës që Baçeviq të shpallet fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit duke marrë për bazë natyrën e veprës penale dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra.

Krejt në fund prokurori i propozoi Gjykatës që të vazhdohet masa e paraburgimit për të akuzuarin deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në anën tjetër Dejan Basiq, mbrojtës i  të pandehurit, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat në mungesë të provave.

Ndërsa i akuzuari Svetomir Baçeviq u deklarua plotësisht i pafajshëm për veprën të cilën Prokuroria ia vë në barrë.

Në fund Baçeviq shtoi se është i pastër dhe që nuk ka lënduar kurrë askënd dhe nuk I ka bërë keq askujt.

“Unë jam i pastër dhe askënd nuk e kam lënduar, as s’i kam bërë keq” – tha Baçeviq.

Më 8 shtator pritet të vendoset përfundimisht në lidhje me  fatin e të akuzuarit.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale po e ngarkon Baçeviqin për veprën- krim kundër popullatës civile.

Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohet që gjatë muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë ka marrë peng të dëmtuarën T.K., në atë kohë 60-vjeçare.

Baçeviq në natën kritike me armë automatike fillimisht nga distanca gjuan në drejtim të dritareve dhe kulmit, ku e dëmtuara ishte duke qëndruar.

Pastaj duke përdorur forcën arrin që të hyjë brenda shtëpisë, dukë dëmtuar gjësende me pretekstin se është dukë kërkuar për njerëz të tjerë.

I akuzuari nën kërcënimin e armës nxjerr nga shtëpia të dëmtuarën, ku bashkëshortit të T.K. i thotë që të njëjtën mund ta marrë në shtabin e ushtrisë vetëm pasi t’i dorëzojë pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje në aktakuzë thuhet që Baçeviq të dëmtuarën e dërgon te një shitore e fshatit ku e mbështet për muri vazhdimisht duke i drejtuar tytën e armës dhe i rri në një distancë shumë të afërt më qëllim të poshtërimit në prezencë të shumë personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, në këtë rast ndërhyn Momqillo Saviq duke u përleshur më të akuzuarin dhe duke e goditur me grushte në kokë, ku pastaj i ndihmon të dëmtuarës që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim sipas Prokurorisë Speciale Svetomir Baçeviq ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.

Baçeviq ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2020.