Amnesty International: Rusia ka kryer krime lufte në Kharkiv

Forcat ruse kanë marrë pjesën më të madhe të Sievierodonetsk, ku luftimet e ashpra në rrugë vazhdojnë pas një zjarri që shpërtheu në fabrikën kimike Azot, ku janë strehuar qindra civilë. “Qëllimi kryesor taktik i pushtuesve nuk ka ndryshuar: ata po bëjnë presion në Sievierodonetsk, luftime të ashpra po vazhdojnë atje – literalisht, për çdo metër”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në video-fjalimin e tij të natës, duke shtuar se ushtria ruse po përpiqet të vendosë forca rezervë në rajonin e Donbasit. Trupat ukrainase thuhet se kanë mbetur në kontrollin të një zone industriale.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se raketat e saj të navigimit kanë shkatërruar një depo të madhe që përmbante armë amerikane dhe evropiane në Ternopil në Ukrainën perëndimore të dielën. Sulmi shkatërroi një “depo të madhe të sistemeve raketore antitank, sistemeve portative të mbrojtjes ajrore dhe predhave të ofruara regjimit të Kievit nga SHBA dhe vendet evropiane”, tha ministria e mbrojtjes, një pretendim i kundërshtuar nga zyrtarët ukrainas të cilët thanë se aty nuk ishte ruajtur asnjë armë. Guvernatori rajonal i Ternopil tha se sulmi shkatërroi një numër ndërtesash banimi dhe plagosi 22 persona, duke përfshirë shtatë gra dhe një 12-vjeçare.

Forcat ruse e kanë shkatërruar një urë që lidh qytetin lindor të sulmuar të Sievierodonetsk me qytetin e tij binjak të Lysychansk, duke ndërprerë një rrugë të mundshme evakuimi për civilët, sipas zyrtarëve lokalë. Serhiy Haidai, guvernatori i provincës Luhansk, tha të dielën se ushtria ruse ka shkatërruar një urë mbi lumin Siverskyi që lidhte dy qytetet.

Amnesty International e ka akuzuar Rusinë për krime lufte në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Qindra civilë janë vrarë nga bombardimet pa dallim duke përdorur municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht dhe raketa në thelb të pasakta, tha agjencia në një raport të ri të botuar të hënën. “Forcat ruse filluan një fushatë të pamëshirshme bombardimesh pa dallim kundër qytetit Kharkiv. Ata i kanë granatuar lagjet e banuara pothuajse çdo ditë, duke vrarë dhe plagosur qindra civilë dhe duke shkaktuar shkatërrime me shumicë, shpesh duke përdorur municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht.”

Shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia në kundërshtimin e saj ndaj aplikimeve për anëtarësim të Finlandës dhe Suedisë në NATO janë legjitime, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportin e armëve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Finlandë të dielën.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të dielën mundësinë e bisedimeve të reja me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. “Ndoshta javën e ardhshme do të flasim se çfarë hapash do të ndërmarrim, duke zhvilluar bisedime me Putinin dhe Zelenskiin”, tha ai në lidhje me zgjidhjet për eksportet e penguara si rezultat i luftës.

Arsenali global bërthamor pritet të rritet në vitet e ardhshme për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë dhe rreziku i përdorimit të armëve të tilla është më i madhi në dekada, tsipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe mbështetja perëndimore për Kievin i ka rritur tensionet midis nëntë shteteve të botës me armë bërthamore, thotë më tutje instituti në fjalë.

Ukraina i ka krijuar dy rrugë përmes Polonisë dhe Rumanisë për të eksportuar grurë dhe për ta shmangur një krizë globale ushqimore, megjithëse pengesat e kanë ngadalësuar zinxhirin e furnizimit, tha të dielën zëvendësministri i Jashtëm i Kievit.

Ministrat e tregtisë globale u mblodhën për të trajtuar sigurinë ushqimore të kërcënuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në një takim të Organizatës Botërore të Tregtisë të dielën. Ministrat pritet të bien dakord për një deklaratë të përbashkët për forcimin e sigurisë ushqimore, në të cilën ata do të “angazhohen për ndërmarrëjen e hapave konkretë për ta lehtësuar tregtinë dhe për ta përmirësuar funksionimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të tregjeve globale për ushqimin dhe bujqësinë”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri thirrje për nevojën për t’i forcuar ligjet kundër korrupsionit në Ukrainë. Pas takimit me Zelenskiy, von der Leyen tha: “Ka ende nevojë për reforma të zbatuara, për të luftuar korrupsionin për shembull, ose për ta modernizuar administratën, e cila gjithashtu do të ndihmojë në tërheqjen e investitorëve”.

Restorantet e McDonald’s hapën dyert e tyre në Moskë me pronar dhe emër të ri, Vkusno & Tochka, që kur përkthehet në shqip e ka kuptimin “E shijshme dhe kaq”. Rihapjet u bënë në Ditën e Rusisë, një festë që ku kremtohet krenaria kombëtare ruse./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala