40 shqiptarë, mes tyre dy nga Kosova - evakuohen nga Izraeli

40 shqiptarë – mes tyre shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut – u evakuuan mbrëmjen e së dielës nga Izraeli në Shqipëri, bëri të ditur Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.

Izraeli shpalli gjendje lufte, pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor.

Në përgjigje, ushtria izraelite nisi bombardimin nga ajri të Rripit të Gazës.

Mbi 1.000 njerëz u raportuan të vrarë nga të dyja palët.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë tha se evakuimi i 40 shqiptarëve është bërë pas kërkesës së tyre për t’u larguar nga Izraeli.

Zyrtarë të saj konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se në mesin e tyre janë dy nga Kosova dhe nëntë nga Maqedonia e Veriut.

“Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Avivit, ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në koordinim edhe me ministritë simotra të vendeve të rajonit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, tha kjo ministri pas mbërritjes së avionit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, mbrëmjen e së dielës.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua gjatë ditës Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, në lidhje me shtetasit e Kosovës në Izrael dhe evakuimin e tyre të mundshëm, por nuk mori përgjigje./REL