40 inxhinierë e arkitektë i bashkohen ekipit shqiptar për identifikimin e dëmeve nga tërmeti

40 inxhinierë dhe arkitektë i janë bashkuar ekipeve shqiptare për identifikimin e të gjitha dëmeve të cilat janë shkaktuar nga tërmeti me magnitutë 6.4 shkallët të Rihterit që ka prekur Shqipërinë të martën.

“Duhet të identifikojmë së pari ndërtesat që janë gati për t’i demoluar dhe më pas duke filluar sipas kategorive, nga ato më sensitive, që janë shkollat spitalet, dhe janë ndërtesat e tjera komunitare, pra ndërtesat e qëndrueshme dhe atyre që përbëjnë rrezik publik”, ka deklaruar ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Më tej Balluku ka thënë se Durrësi, Thumana dhe Laçi janë zonat më të prekura nga tërmeti. Ndërsa Tirana e Kavaja janë prekur më pak nga rrezja e tërmetit.

Ministrja Balluku vlerësoi edhe profesionalizmin e demonstruar nga ekipet e Kosovës të njësive operative të ushtrisë e policisë, që mbërritën në Shqipëri që në orët e para pas tërmetit.

“Jemi ndjerë krenarë e të impresionuar nga shkalla e tyre e profesionalizmit. Kanë të njëjtën përgatitje me ekipet ndërkombëtare. Kanë qëndruar profesionalisht përkrah tyre. Falënderoj vëllezërit e Kosovës për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë”

Balluku gjithashtu falënderoi kosovarët për ndihmat dhe mbështetjen morale që kanë ofruar që nga momentet e para pas tërmetit.