Shoqata e Arkitektëve të Kosovës i reagon Komunës së Prishtinës për projektet ndërkombëtare

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës  ka reaguar lidhur me njoftimin e Komunës së Prishtinës për konkurset ndërkombëtare për Sallën Koncertale, Shkollën e Muzikës, Sallën e Sporteve dhe Spitalit të Prishtinës.

Shoqata ka bërë  thirrje që të respektohet pozita e arkitektëve të Kosovës në proces të këtij hartimi, përzgjedhjes dhe realizmit të tyre.

Shoqata shton se këto projekte duhet të kenë vizion për qytetin dhe shpreh gatishmërinë për ndihmë profesionale gjatë tërë procesit.

Kurse sa i përket Sallës Koncertale që po pritet të adaptohet në objektin e ‘Gërmisë’, shoqata konsideron sa duhet një studim i hollësishëm i lokacionit.

Shoqata madje shtoi edhe mendimin kritik të arkitektit Sali Spahiu lidhur me urbanizmin arkitektonik në Kosovë që nga paslufta i cili thotë se janë bërë shumë improvizime dhe lëshime të cilat do të na kushtojnë.

Ai kishte reaguar më shumë për Sallën Koncertale, ku konsideron se nuk duhet të bëhet me të njëjtat improvizime, pasi sipas tij nuk mund të shndërrohet në Sallë Koncertale ish- Shtëpia e Mallrave ‘Gërmia’.

Sipas tij vetëm me anë të rrënimit mund të bëhet një sallë bashkëkohore me standarde për atë lloj objekti.

Më poshtë keni komunikatën e plotë të Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës:

“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës reagon ndaj njoftimit nga Komuna e Prishtinës, lidhur me shpalljen e Konkurseve Ndërkombëtare për Sallën Koncertale, Shkollën e Muzikës, Sallën e Sporteve dhe Spitalit të Prishtinës. Duke mirëpritur iniciativa të tilla, që besojmë të jenë në të mirë të qytetit, bëjmë thirrje që të respektohet tërësisht pozita e arkitektit – përfaqësuar nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës – në procesin e hartimit të detyrës projektuese, shpalljes së konkursit, përzgjedhjes së projekteve, si dhe përcjelljes së realizimit të tyre.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës insiston që këto projekte arkitektonike duhet domosdoshmërisht të paraqesin vizion për kryeqytetin, meqë bëhet fjalë për objekte të interest publik, dhe beson që Komuna e Prishtinës qëndron në të njejtin mendim.
Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës shpreh gatishmërinë të ofrojë ndihmën profesionale gjatë gjithë procesit. Ndërsa mendojmë që ndërtimit të Sallës Koncertale, dhe jo vetëm, duhet t’i paraprijë një studim i hollësishëm urb-arkitektonik i tërësisë dhe vëllimit hapësinor të lokacionit ndërmjet rrugëve “Agim Ramadani” dhe “Luan Haradinaj”.
Ne këtë kontekst, fokusohemi në “shndërrimin” e ish shtëpisë së mallrave “Gërmia” në Sallë Koncertale. Duke pasur për bazë kritikën dhe rrjedhën e deritanishme, duhet që patjetër ky rast të trajtohet me kujdes të veçantë. Në vazhdim të kësaj, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës e jep shembullin e reagimit kritik të arkitektit Sali Spahiu, botuar edhe në portalin koha.net., si më poshtë:
Sali Spahiu, Arkitekt
Pas luftës në shumë qytete të Kosovës, si dhe në Prishtinë, janë bërë shumë improvizime dhe gabime në fushën urbanistike dhe arkitektonike. Këto lëshime, improvizime dhe gabime, sot e sidomos në të ardhmen, do t’i kushtojnë shumë Kosovës dhe Prishtinës. Gjeneratat që vijnë pas nesh sigurisht do të na mallkojnë, mendoj me shumë të drejtë. Pse? Sepse planifikimi hapësinor, urbanistik dhe arkitektonik është shumë më kompleks se siç disa mendojnë. Shkas për këtë reagim, është siç po flitet shndërrimi i Shtëpisë së Mallrave në Prishtinë, në Sallë Koncertale.
Shumë mirë që po mendohet të ndërtohet Salla Koncertale, për çka Prishtina ka pasur nevojë qysh moti, por shumë keq që po mendohet që kjo të bëhet me improvizime. Nuk e kuptoj idenë dhe argumentet që Shtëpia e Mallrave të shndërrohet në Sallë Koncertale. Ata që janë profesionistë të vërtetë e dinë fort mirë se aspekti funksional, konstruktiv dhe arkitektonik janë elemente bazike të çdo objekti. Ky objekt mund të fitojë funksion të ri si p.sh. Galeri e Arteve, Muze ose diçka e ngjashme, por kurrsesi në Sallë Koncertale. Pse? Sepse Salla Koncertale ka shumë parametra funksional, konstruktiv, akustik dhe arkitektonik që duhen përmbushur. Këto parametra nuk mund t’i përmbushë Shtëpia e Mallërave. Kjo është shumë qesharake. Mendoj se lokacioni është shumë adekuat, por vetëm nëse rrënohet Shtëpia e Mallrave e në këtë vend të ndërtohet një Sallë Koncertale bashkëkohore dhe me të gjitha normat e standardet që duhet për këtë lloj objekti.
Bashkimi Evropian si investitor, nuk guxon të lejojë improvizime, pra Shtëpinë e Mallrave t’a shndërrojë në Sallë Koncertale. Jam i bindur se një vendim i tillë kishte me qenë gabim i pafalshëm. Prishtinës dhe Kosovës i duhen objekte në frymë të kohës, që d.m.th. se edhe Salla Koncertale me funksionimin, konstruksionin, akustikën dhe arkitekturën e saj duhet të jenë plotësisht në trendet bashkëkohore. Ky lokacion (nëse Kuvendi Komunal është përcaktuar për të) kërkon objekt plotësisht të ri dhe bashkëkohor. Secila zgjidhje tjetër, mendoj se do të jetë gabim fatal. Salla Koncertale është objekt unik që ndërtohet shumë rrallë dhe kërkon çasje shumë analitike dhe komplekse”.