30 pacientë post-COVID janë duke u trajtuar në ShSKUK

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se 42 pacientë janë duke u trajtuar në spitalet dhe klinikat e Kosovës, 12 prej tyre janë të infektuar me coronavirus ndërsa 30 të tjerë janë post-COVID.

“Me oksigjeno-terapi janë 12 pacientë, përderisa në mjekimin intensiv 1 pacient”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar tre pacientë me coronavirus, ndërsa në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive është duke u trajtuar një pacient.

Sipas njoftimit, 27 pacientë post – COVID janë duke marrë trajtim në Klinikën e Pulmologjisë ndërsa tre të tjerë në spitalet rajonale në vend.

Sa i përket pacientëve me COVID-19, në Spitalin e Prizrenit është duke u trajtuar një pacient, tre në atë të Pejës, në Spitalin e Gjakovës janë pesë pacientë si dhe në Spitalin e Ferizajt janë duke u trajtuar dy pacientë.

Aktualisht në Kosovë janë 447 raste aktive me COVID-19.

Deri më tani në nivel vendi janë regjistruar 160 mijë e 891 qytetarë të infektuar me COVID-19, prej tyre 2 mijë e 978 kanë vdekur ndërsa 157 mijë e 466 janë shëruar.