25-vjeçari i kërkuar për vepra të ndryshme penale në Gjermani, arrestohet në Pejë

Një 25 vjeçar i lindur në Gjermani, me vendqëndrim në një fshat të Komunës së Pejës me një pasaportë të lëshuar nga Mali i Zi, është dërguar në ndalim për 48 orë.

Me vendim të prokurorit Ersan Qavolli, 25-vjeçari ishte arrestuar nën dyshime se ka kryer dhe është i dënuar për disa vepra penale e madje ishte edhe në kërkim ndërkombëtar.

KALLXO.com ka siguruar edhe dosjen e të dyshuarit me iniciale R.A, që u arrestua dy ditë më parë në Pejë.

25-vjeçari ishte në kërkim nga autoritetet gjermane pasi sipas dosjes, ishte i dënuar për vepra të ndryshme penale përfshirë vjedhje të banesës, lëndim të lehtë trupor, vjedhje, vozitje pa leje dhe shkelje të aktit të armëve. Të gjitha këto vepra penale duke u bazuar në Kodin Penal të Gjermanisë.

Autoritetet e drejtësisë në Gjermani kishin lëshuar një kërkesë ndërkombëtare për R.A., më 28 gusht të këtij viti.

Prokuroria pas urdhrit për ndalimin e 25-vjeçarit për 48 orë, ka parashtruar edhe kërkesë në Gjykatën e Pejës që të njëjtin ta dërgojë në paraburgim. Kjo për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar, edhe se për të njëjtin ekziston rreziku i arratisjes me ç’rast ka edhe dënime të shqiptuara për të.

Gjithashtu Prokuroria në Pejë ka konsideruar se veprat penale për çka ishte i dënuar 25-vjeçari në Gjermani janë të sanksionuara edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Me lënien e tij në liri, shteti gjerman ka vlerësuar se i njëjti do të arratiset dhe do të pengojë ekstradimin e tij pasi që i njëjti ka edhe pasaportë të Malit të Zi.