21 vite burgim dhe 7 mijë euro gjobë të akuzuarve për tri vepra penale

Ferdi Sali, Liridon Musli, Labinot Halimi dhe Selman Halimi janë dënuar sot nga Gjykata e Gjilanit me burgim në kohëzgjatje prej totale prej 21 vitesh.

Ata nga Gjykata e Gjilanit janë gjetur fajtorë për tri vepra penale, grabitje, grabitje në tentativë dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Gjykata ka njoftuar se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi për veprën penale të ndihmës në grabitje, u ka shqiptuar dënim me nga 2 vite e 6 muaj burgim dhe me nga 500 euro gjobë dhe se pas shpalljes së aktgjykimit, u është ndërprerë masa e paraburgimit.

Kurse të akuzuarve të akuzuarve Ferdi Saliu dhe Liridon Musli, për kryerjen dy veprave penale, grabitje dhe grabitje në tentativë u ka shqiptuar dënim unik me nga 8 vite burgim dhe me nga 3,000 euro gjobë, për secilin. Të njëjtëve, gjykata ka njoftuar se pas shpalljes së aktgjykimit, u është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Dosja e Prokurorisë thekson se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi i kanë udhëzuar të akuzuarit tjerë Liridon Musli dhe Ferdi Sali, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, ndërsa ata dy të armatosur dhe të maskuar, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Sadik Sylejmani.

Prokuroria thotë se nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës Hyrije Sylejmani, të akuzuarit kishin grabitur para në shumën prej 65,000 euro, 1,000 franga, si dhe sasi të konsiderueshme ari, me ç’rast pas grabitjes, së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit Liridon Musli, në Fushë-Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të akuzuarit Ferdi Sali dhe Liridon Musli, më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 minuta, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole, kanë kryer grabitje, fillimisht duke i sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas duke marrë nga arka 300 euro.

Pas aktit, ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ferdi Sali dhe Liridon Musli akuzohen edhe për grabitje në tentativë, pasi në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’, në fshatin Velekincë, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të kryejnë akt të ngjashëm. Sipas aktakuzës ata fillimisht kishin hapur me forcë derën e fabrikës, mirëpo për shkak të zhurmës e cila ishte shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit ishin vërejtur nga sigurimi.

Pas kësaj, ata kishin gjuajtur me armë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Gjykimi për grabitjen e 65 mijë eurove, i akuzuari rrëfen se çfarë bënë në shtëpinë e “plakës”