Foto: Kallxo.com

Nis nga fillimi gjykimi i nipave për grabitjen në shtëpinë e dajave

Me maska e respektim të distancës ka nisur nga fillimi shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Ferdi Sali, Liridon Musli, Labinot Halimi dhe Selman Halimi.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Ferdi Sali, Liridon Musli Labinot Halimi dhe Selman Halimi, më 3 korrik 2019, në Gjilan, në bashkëveprim dhe me përgatitje paraprake, kanë kryer grabitje.

Dosja e Prokurorisë thekson se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi, i kanë udhëzuar të akuzuarit tjerë Liridon Musli dhe Ferdi Sali, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, ndërsa ata dy të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Sadik Sylejmani.

Prokuroria thotë se nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës Hyrije Sylejmani, të akuzuarit kishin grabitur para në shumën prej 65,000 euro, 1,000 franga, si dhe sasi të konsiderueshme ari, me ç’rast pas grabitjes së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit Liridon Musli, në Fushë Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të akuzuarit Ferdi Sali dhe Liridon Musli, më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 minuta, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole kanë kryer grabitje, fillimisht duke i sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas duke marrë nga arka 300 euro.

Pas aktit, ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ferdi Sali dhe Liridon Musli akuzohen edhe për grabitja në tentativë, pasi në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’, në fshatin Velekincë, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të kryejnë grabitje. Sipas aktakuzës ata fillimisht kishin hapur me forcë derën e fabrikës, mirëpo për shkak të zhurmës e cila ishte shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit ishin vërejtur nga sigurimi.

Pas kësaj, ata kishin gjuajtur me armë me armë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri tha se ky shqyrtim do të nis nga fillimi edhe njëherë.

“Shqyrtimi gjyqësor do të nisë nga fillimi lidhur me këtë çështje penale pasi që nga fillimi i saj kanë kaluar më tepër se 3 muaj”, tha gjyqtari Haziri.

Pasi shqyrtimi nisi nga fillimi, të gjitha palët thanë se mbeten pranë fjalëve hyrëse të mëparshme.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitari Jakup Robelli i cili tha se  ka qenë roje e sigurimit në kohën kur ka ndodhur ngjarja te kompania “Kalabria”.

“Kam dhënë deklaratë në polici dhe në Prokurori dhe mbes pranë deklaratave të njëjta. Ditën kur ka ndodhë ngjarja ka qenë natë Bajrami, diku pas mesnate kam dalë me kontrollu afër rrethojave të kompanisë dhe i kam dëgju disa pëshpërima. Pastaj nga baraka e kompanisë “Fluidi”, ka dalë roja e tyre dhe pa pritmas kam dëgju 2-3 krisma të revoles. Mandej kam parë se nga aty kanë ikur tre persona dhe duke dalë nga oborri i kompanisë kanë gjuajtur edhe dy herë me revole”, tha dëshmitari Robelli.

Dëshmitari tjetër Zaim Xhemaili tha gjithashtu të ketë dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori dhe se mbetet pranë deklaratave të njëjta.

“Natën kritike kam qenë roje në kompaninë “Fluidi”. Diku rreth orës 02 pas mesnate kam dalë për ta bërë një kontroll tek objekti. Deri sa jam sjellë rreth fabrikës e kam dëgju se është dhezë alarmi. Momentin që jam afruar diku 15 metra ka dalë një person dhe kur e ka parë se unë nuk po largohem ka gjuajtur në drejtim timin me revole dy herë”, tha dëshmitari Zaim Xhemaili.

Tutje u dëgjuan edhe dy dëshmitarë të cilët treguan versionin e tyre të ngjarjes lidhur me veprën e pretenduar nga Prokuroria.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u shty për 26 qershor.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Nipat para gjyqit për grabitjen e mijëra eurove në shtëpinë e dajës në Gjilan