Gjykimi i grupit të akuzuar për grabitje

Grabitja e 65 mijë eurove, sërish dështon seanca ndaj të akuzuarve

Ferdi Sali, Liridon Musliu, Labinot Halimi dhe Selman Halimi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën për grabitje, por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, konfirmoi se për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme.

“Anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaqi e ka një rast të sëmurë në emergjencen e Prishtinës, andaj më ka njoftuar se nuk mund të jetë në gjykim”, tha shkurt gjykatësi Haziri.

Kujtojmë se edhe seanca e datës 09 nëntor kishte dështuar të mbahet.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Ferdi Sali, Liridon Musliu, Labinot Halimi dhe Selman Halimi, më 3 korrik 2019, në Gjilan, në bashkëveprim dhe me përgatitje paraprake, kanë kryer grabitje.

Dosja e Prokurorisë thekson se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi, i kanë udhëzuar të akuzuarit tjerë Liridon Musli dhe Ferdi Sali, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, ndërsa ata dy të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Sadik Sylejmani.

Prokuroria thotë se nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës Hyrije Sylejmani, të akuzuarit kishin grabitur para në shumën prej 65,000 euro, 1,000 franga, si dhe sasi të konsiderueshme ari, me ç’rast pas grabitjes së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit Liridon Musli, në Fushë Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të akuzuarit Ferdi Sali dhe Liridon Musliu, më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 minuta, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole kanë kryer grabitje, fillimisht duke i sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas duke marrë nga arka 300 euro.

Pas aktit, ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ferdi Sali dhe Liridon Musliu akuzohen edhe për grabitja në tentativë, pasi në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’, në fshatin Velekincë, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të kryejnë grabitje.

Sipas aktakuzës ata fillimisht kishin hapur me forcë derën e fabrikës, mirëpo për shkak të zhurmës e cila ishte shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit ishin vërejtur nga sigurimi.

Pas kësaj, ata kishin gjuajtur me armë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shty për muajin shkurt 2021.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast LINK