Ilustrim

20-vjeçari nga Kosova arrestohet në Aeroportin e Shkupit, po udhëtonte me dokumente të falsifikuara

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njofton se gjatë ditës së djeshme në Aeroportin e Shkupit është arrestuar një shtetas i Kosovës, raporton Alsat M.

Gjatë inspektimit, Policia ka konstatuar se dokumentet me të cilat po udhëtonte 20-vjeçari kosovar ishin të falsifikuara.

“Me 12.12.2020 në ora 11:45 në vendkalimin kufitar “Aeroporti Ndërkombëtar-Shkup”, policia ka arrestuar personin LL.K. (20) nga Republika e Kosovës. Policia pas inspektimit ka konstatuar se dokumenti slloven i udhëtimit dhe karta e identitetit të cilën personi në fjalë i ka dorëzuar për identifikim kanë qenë të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e MPB-së në Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, gjatë kontrollit në bagazhet e tij është gjetur edhe patentë-shoferi nga Sllovenia, i cili po ashtu ishte konstatuar se është i falsifikuar.

“20-vjeçari ka deklaruar se dokumentet i ka marrë nga një person në Veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

MPB njofton se personi në fjalë është dërguar në qendrën për migracion në Shkup, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria.