Foto arkiv

Foto arkiv

2 mijë e 700 euro gjobë ndaj zv/ministrit të Mbrojtjes, Adnan Rexheplar

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar zëvendësministrin e Mbrojtjes, Adnan Rexheplar, me një gjobë prej 2,700 eurosh.

Rexheplar, aktualisht është zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës.

Vendimi u mor më datë 1 qershor të këtij viti pasi Rexheplar u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai ishte i akuzuar se si kryesues i Komisionit të Rekrutimit në një konkurs të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Dragash në vitin 2020, kishte ndryshuar përgjigjen e një kandidati për pozitën e mësuesit klasor në shkollën “Fetah Sylejmani”.

Rexheplar paraprakisht ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj për KALLXO.com ka thënë se fillimisht të akuzuarit i është shqiptuar dënimi prej 6 muaj burg por që më pas i është zëvëndësuar me gjobë.

“Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, më datë 01.06.2023, ka marrë AKTVENDIM, dhe është pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mes të Prokurorisë së Shtetit në Prizren mbrojtësit se të akuzuarit dhe të akuzuarit A. R., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KP-së. Me datë 01.06.2023, Kryetari i trupit Gjykues, Gjyqtari Artan Sejrani, ka shpallur Aktgjykim dënues, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh. Në kuptim të Kodit Penal, me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, Dënimi me Burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh është zëvendësuar me Dënim me GJOBË në shumën prej 2,700 Euro”-ka deklaruar Lekaj.

Sipas Prokurorisë Adnan Rexheplar, si kryesues i Komisionit për Rekrutimin e kandidatëve sipas konkursit të shpallur nga DKA në Dragash të datës 15 janar 2020, për pozitën mësues klasor në SHFMU “Fetah Sylejmani”, në fshatin Cërcë të Dragashit, më datë 4 shkurt 2020, si person zyrtar tejkalon kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se për kandidatin M. M., i cili kishte aplikuar në atë konkurs, ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim të kandidatit dhe atë në pyetjen e 11-të për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e komisionit është vlerësuar me katër pikë.

Sipas aktakuzës, dorëshkrimi me numër rendor 11 të këtij testi me shkrim i cili nuk është shkruar nga kandidati është vërtetuar nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Me këto veprime Adnan Rexheplar ngarkohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.