Zv/ministri i Mbrojtjes, Adnan Rexheplar, Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë ndaj zv.ministrit të Kurtit, dyshohet se më 2020 në test shënoi përgjigjen e kandidatit

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës


Adnan Rexheplar, aktualisht zëvendësministër i Mbrojtjes, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafquar me akuzën e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës, në lidhje me një konkurs më 2020.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Rexheplar dyshohet se si kryesues i Komisionit për Rekrutimin e kandidatëve në konkursin për mësues klasor, ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim të kandidatit M.M., në vitin 2020 në Dragash.

Të premten, në shqyrtimin fillestar, ai nuk e ka pranuar fajësinë.

“Jo, nuk e pranojë fajësinë”- tha ai.

Pas kësaj gjykata udhëzoi të pandehurin se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh janë të obliguar të paraqesin kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas Prokurorisë. Adnan Rexheplar, si kryesues i Komisionit për Rekrutimin e kandidatëve sipas konkursit të shpallur nga DKA në Dragash të datës 15 janar 2020, për pozitën mësues klasor në SHFMU “Fetah Sylejmani”, në fshatin Xërxë të Dragashit, më datë 4 shkurt 2020, si person zyrtar tejkalon kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se për kandidatin M.M., i cili kishte aplikuar në atë konkurs, ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim të kandidatit dhe atë në pyetjen e 11-të për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e komisionit është vlerësuar me katër pikë.

Sipas aktakuzës, dorëshkrimi me numër rendor 11 të këtij testi me shkrim i cili nuk është shkruar nga kandidati është vërtetuar nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Me këto veprime Adnan Rexheplar ngarkohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.