16-vjeçari nga Oksfordi akuzohet se u bë milioner nga hakerimi

Një 16-vjeçar nga Oksfordi është akuzuar si një nga drejtuesit e bandës së krimit kibernetik të quajtur, ‘Lapsus$’.

Adoleshenti, i cili dyshohet se ka grumbulluar një pasuri prej 14 milionë dollarësh nga ‘hakerimi’, është identifikuar nga hakerët dhe rivalët e tjerë.

Babai i djalit i tha BBC-së se familja e tij ishte e shqetësuar dhe po përpiqej ta mbante atë larg kompjuterëve të tij.

Nën emërtimin e tij në internet “White” ose “Breachbase”, adoleshenti, i cili ka autizëm, thuhet se qëndron pas grupit të hakerëve ‘Lapsus$’, i cili besohet të jetë i vendosur në Amerikën e Jugut.

‘Lapsus$’ është relativisht i ri, por është bërë një nga bandat më të përfolura dhe më të frikshme të hakerëve të krimit kibernetik, pasi “theu” me sukses firmat e mëdha si Microsoft dhe më pas u mburr për të në internet.

Adoleshenti, emri i të cilit nuk mund të përmendet për arsye ligjore, ndjek një shkollë speciale arsimore në Oksford.

Policia e qytetit të Londrës tha: “Shtatë persona midis moshës 16 dhe 21 vjeç janë arrestuar në lidhje me një hetim ndaj një grupi hakerësh. Të gjithë janë liruar nën hetim. Hetimet tona vazhdojnë”.

Grupi “Lapsus$” ka fituar famë në një periudhë të shkurtër kohore falë objektivave të profilit të lartë dhe pranisë aktive në aplikacionin “Telegram”. Kanali i tyre është rritur në 47 mijë abonentë.

Mesazhi i fundit u postua nga ta të mërkurën, ku grupi thoshte: “Disa nga anëtarët tanë kanë pushime deri më 30/3/2022. Mund të jemi të qetë për disa kohë. Faleminderit që na kuptoni – do të përpiqemi të zbulojmë gjëra sa më shpejt.”/BBC.