12 persona nga Prishtina testohen për COVID-19

Gjatë ditës së sotme u janë marrë mostrat 12 personave nga Prishtina që dyshohet se mund të jenë infektuar me COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.

“Sot janë dërguar 12 raste [mostra]. I presim rezultatet ndërkohë. Sonte pritet me dalë rezultatet, tash varet se kur i përfundojmë dhe besoj që i marrim rezultatet”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Gashi ka shtuar se kryesisht këto janë raste kontakti të pacientëve të fundit që janë konfirmuar me coronavirus në kryeqytet.

Prishtina është në mesin e komunave më të prekura nga coronavirusi.

Pak ditë më parë është marrë vendim që kryeqyteti të futet në karantinë.

Ndërkaq, me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të dalin jashtë shtëpive të tyre një herë në ditë, për vetëm 90 minuta.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 377 persona me coronavirus, 63 janë shëruar si dhe janë shënuar 8 vdekje.