Foto: Hashim Thaçi/Twitter

​Limaj pas takimit me Thaçin: Tallja mund t’i kushtojë Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se involvimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi ofron siguri dhe askush nuk duhet të hezitojë të rreshtohet përkrah tyre.

Limaj pas takimit me presidentin Hashim Thaçi tha se partia që ai drejton është për një konsensus që i shërben shtetit, e jo egove personale.

“Është e tepërt të thuhet se involvimi i SHBA është shumë i rëndësishëm, krijon siguri dhe kurdo që Kosova ka pasur përkrah SHBA ka arritur objektivat e veta. Askush nuk duhet të frikësohet dhe të hezitojë. Aty ku janë SHBA, Kosova duhet të rreshtohet fuqishëm për të përmbyllur dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai.

Ish-zëvendës kryeministri tha se involvimi i emisarit special të SHBA-së për dialogun i ka dhënë një energji të re këtij procesi.

“Ajo periudhë ose ajo etapë ka përfunduar në momentin letrës së presidentit Trump dhe emërimit të emisarit special për dialogun tregon se ne kemi kaluar në një etapë krejt tjetër në procesin e dialogut dhe kemi një involvim direkt të SHBA-ve”, tha ai.

Krahas kësaj, Limaj tha se procesi i dialogut nuk duhet të injorohet nga askush.

“Jo serioziteti, tallja edhe injorimi i kësaj çështje mund t’i kushtojë Kosovës sikur i ka kushtuar për vite të tëra dhe sidomos dy vjetët e fundit”, tha ai.

Gjatë ditës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Takimet me liderët e pozitës dhe opozitës po mbahen sot me qëllim të koordinimit të çështjeve me interes kombëtar.

I vetmi nga liderët që nuk i është përgjigjur ftesës së kreut të vendit ka qenë kryeministri Albin Kurti. /21Media