Robinson: Po punojmë për një Kosovë më të mirë, më të fortë e më të sigurt

Ndihmës Sekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, ka siguruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.

“Fakti që jam këtu tregon për mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”,- theksoi ai.

Nihmës Sekretari amerikan bëri të ditur se gjatë vizitës në Kosovë do të takohet edhe me qeveritarë dhe përfaqësues nga sektori i gjyqësorit.

“Nuk është hera e parë që jam në Ballkan. Kam punuar në rajon edhe më herët. Po më duket sikur jam kthyer në shtëpi, andaj mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për të vizituar më shumë, për t’u takuar me kolegët tuaj në Qeveri dhe në sektorin e gjyqësorit”- theksoi ai.

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, ka arritur në Kosovë, më 20.03.2024 në mëngjes.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.