FOTO KUVENDI I KOSOVES

Kuvendi pas një bllokade disa muajshe miratoi disa Ligje

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur dje pasdite në seancë të re, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një varg projektligjesh.

“Fillimisht, me mocion u vendosë që Kuvendi të kalojë për shqyrtim nga pika e katërt, ndërsa nuk u përkrah propozimi i kryetarit të GP të Nismës Social-Demokrate që Kuvendi të dalë me një deklaratë lidhur me zhvillimet e fundit”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

“Seanca iu kthye diskutimeve për projektligje, duke miratuar, në shqyrtim të dytë, tetë prej tyre: Projektligjin për gjykatat, Projekt-kodin Penal të Republikës së Kosovës, Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo- kontestimore”, njofton Kuvendi.

Më tej në njoftim thuhet se pas kërkesës së kryetarit të GP të Partisë Social-Demokrate, për të shtyrë interpelancën e thirrur me ministrin Skënder Reçica, Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të projektligjeve.

“Kuvendi shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për peticione, të propozuar nga GP i Vetëvendosjes, të cilin në seancë e prezantoi deputetja Albulena Haxhiu. Deputetja Teuta Haxhiu, ndërkaq, paraqiti rekomandimin e komisionit funksional për mos miratim të këtij projektligji. Kuvendi nuk pati kuorum për të votuar këtë projektligj, sikurse as për tri projektligje të tjera: Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, për Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës”, njofton Kuvendi i Kosovës për mes një komunikate për media.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se Kuvendi ndërpreu seancën, ndërsa kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se për vazhdimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.