Përurimi i Palestrës së Sportit në Deçan. Foto: MKRS

Pas 10 vitesh zvarritje përurohet Palestra e Sportit në Deçan 

Mbi dy milionë euro janë investuar për ndërtimin e Palestrës së Sportit në Deçan. Përurimi i saj, është bërë sot në prani të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Palestra e cila nisi së ndërtuari në vitin 2010, ka një kapacitet me mbi 1500 ulëse dhe është investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS, përmes një komunikate ka bërë të ditur se kryeministri Hoti gjatë fjalës së tij ka lavdëruar punë e bërë nga MKRS dhe Komuna e Deçanit, duke potencuar faktin se Deçani me rrethinë është i njohur për sportistë të suksesshëm.

“Ministrja Dumoshi, me entuziazëm po i çon përpara projektet, që pas shumë viteve prej sa ka filluar të ndërtohet kjo palestër dhe që ka kaluar shumë ministra të kulturës, rinisë dhe sportit, por është me interes që sot është kompletuar kjo sallë, e cila është e standardeve ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Hoti.

Kurse, ministrja Dumoshi, sipas komunikatës së MKRS-së, ka thënë se përveç palestrës, MKRS po mbështet edhe 18 projekt tjera në Deçan.

“Palestra është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare ku do të zhvillohen ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe kjo gjë flet shumë”, është shprehur Dumoshi, sipas komunikatës së MKRS-së.

E kryetari Ramosaj, sipas komunikatës, përmendi faktin se nuk ka pasur ndonjë ministër të sportit i cili ka vizituar më shpesh Deçanin se sa ministrja Dumoshi, dhe se është një nder për Deçanin edhe prezenca e Kryeministrit Hoti në këtë përurim.

Përurimi i Palestrës së Sportit në Deçan. Foto: MKRS
Përurimi i Palestrës së Sportit në Deçan. Foto: MKRS