Hapet thirrja për çmimet ‘FIDES 2022’ për filantropinë në Kosovë

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka shpallur thirrje për pjesëmarrje në konkursin tradicional për çmimin FIDES (Hasan Prishtina) për kontribut filantropik në Kosovë përgjatë vitit 2022.

FIQ, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kompanitë e ndryshme, individët, organizata të shoqërisë civile apo komunat që marrin pjesë në thirrje, mund të aplikojnë vetë ose të nominohen nga të tjerët.

“Për të 13-in vit, FIQ do të ndajë Çmimin FIDES për filantropinë korporative, duke i ofruar mundësinë për aplikim bizneseve dhe individëve të cilët kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës”- thuhet ndër të tjerash në njoftimin e FIQ-it.

Kompanitë dhe OSHC-të nga Kosova dhe Diaspora, mund të aplikojnë për kategoritë e mëposhtme:

  1. Çmimi FIDES për kontribut filantropik në nivel korporativ;
  2. Çmimi FIDES për kontribut filantropik nga Diaspora;
  3. Çmimi FIDES për kontributin filantropik individual;
  4. Çmimi FIDES për kontribut filantropik rinor në arritje shkencore (në fushën e energjisë së gjelbërt, innovacionit).

Thirrja për aplikim mbetet e hapur deri më 30 dhjetor 2022.

FIQ, çdo fundvit shpërblen filantropët e vitit, përmes Çmimit prestigjioz FIDES, i cili simbolizon një mirënjohje të madhe për kompanitë dhe individët të cilët në mënyrë sistematike dhe të kujdesshme kanë përkrahur aktivitetet dhe projektet e interesit të përbashkët.

Forumi për Iniciativa Qytetare është organizatë lidere në promovimin e Filantropisë në Kosovë. FIQ në bashkëpunim me “Rockefeller Brothers Fund” për një dekadë kanë punuar për rritjen e vetëdijësimit të popullit në Kosovë për Filantropinë dhe se si individët dhe organizatat mund të bëhen filantrop.