Galeria e Arteve të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Galeria Kombëtare publikon programin për këtë vit

Këshilli drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës ka aprovuar programin artistik për vitin 2020.

Përmes një komunikate për media, GKK bën të ditur se programi i aprovuar i është dorëzuar Ministrisë së Kulturës për aprovim.

“Programi i ekspozitave, si programi kryesor i GKK, përfshin 11 ekspozita që do të hapen në GKK, nga të cilat 7 janë individuale (Burim Gashi, Lirie Buliqi, Alban Muja, Sigmar Polke, Jakup Ferri, Zharko Bashevski, Eliza Hoxha) dhe 4 grupore (Onufri Remade, Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës, Artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Bienalja Muslim Mulliqi)”, thuhet në njoftim.

Pos kësaj, thuhet më tej në njoftim, për programin për vitin 2020 përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Turqinë.

Ndërkaq, në Strehimoren e Bregut të Diellit do të hapet ekspozita permanente e koleksionit të GKK në kuadër të projektit “Strehimorja e Artit Modern dhe Bashkëkohor”, e filluar qysh para dy vitesh me Komunën e Prishtinës.

Edhe më 2020 do të përfshihen programi i edukimit me projektin “Artteen club”, atë të ligjëratës dhe debateve që parashihen të zhvillohen në GKK në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare si dhe përgatitjet për “Manifesta 14”, bienales nomadike që do të mbahet më 2022 në Prishtinë.

“Gjatë vitit 2020 GKK planifikon të dalë me disa publikime të pavarura nga ekspozitat e përkohshme, në kuadër të Programit të Hulumtimit dhe Publikimeve, e që do të jenë të fokusuara në Koleksionin e GKK”, thuhet në njoftimin e GKK-së për programin artistik të këtij viti.